Rreth 177 mijë eurosh të padeklaruara janë kapur në portin e Durrësit. Sasia e madhe e parave ishte fshehur në një autobus që vinte nga Bari i Italisë, ndërsa në pranga kanë rënë dy shoferët, Algert Atia, 34 vjeç, banues në Berat, dhe Adrian Bello 51 vjeç, banues në Elbasan.
Pas dyshimeve, policia kufitare në portin e Durrësit ka bërë një kontroll, ku perveç parave të padeklaruara janë gjetur dhe sekuestruar edhe një pako me fishekë çifteje dhe një sasi mallrash.
Policia dyshon se shuma e madhe e parave vjen nga aktivitete të paligjshme, ndërsa shoferët ende nuk kanë treguar se kujt i përkasin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë në Durrës, për veprime të mëtejshme.
Ky aksion i policisë kufitare u zhvillua në kuadër të operacionit “Fluksi” ku më herët janë bërë edhe 4 sekuestrime të tjera të shumave të mëdha monetare të padeklaruara./abcnews.al