Lista Serbe kërkon zgjedhje në veri, Halimi: Strategji e Serbisë, qeveria e Kosovës të mos bjerë pre

schedule16:44 - 13 Tetor, 2023

schedule 16:44 - 13 Tetor, 2023

Jeton Halimi, nga Instituti për Studim Evropiane, i ftuar në Ballkan Update, ndër të tjera foli edhe për kërkesën e Listës Serbe për zgjedhje të jashtëzakonshme në 4 komunat në veri të Kosovës.

Sipas Halimit, kjo është një strategji e Serbisë për të smufuar aktin terrorist të 24 shtatorit dhe i kërkon qeverisë së Kosovës që të bjerë pre.

“Unë mendoj se Lista Serbe është dora e djathtë e Vuçiç. Për fat të keq, nëse fiton Lista Serbe, dihet se ka fitu gjasme me votën e lirë, por nuk do të jetë kështu. Unë mendoj që këta bëjnë këtë thirrje për zgjedhje për të mënjanuar ngjarjen e 24 shtatorit. Nuk mund të mbulohet një akt terrorist kaq i madh dhe në një fare forme mundohen të luajnë viktimës dhe kjo është strategji e Vuçiç. Kurti nuk duhet të bjeri pre dhe të ulet e negociojnë për zgjedhje në veri.

Çdo manipulim me veriun e çon Kosovën në dëm. Unë mendoj që Kurti është duke luajtur me zjarrin dhe këto gjëra i sheh nga një pikëpamje tjetër dhe nuk e sheh nga afër, e këtë e bën qëllimisht, sepse Kosova e ka për obligim themelimin e Asociacionit. Ballkani nuk ka njëlloj qetësie me Asociacionin” tha ai.

Sipas tij Albin Kurti nuk po pranon Asociacionin e propozuar nga ndërkombëtarët, për t’u mos u djegur politikisht pasi kur ka qenë në opozitë është shprehur se nuk do të pranojë asnjë lloj asociacioni.

Ky veprim i Kurtit, sipas Halimit është i gabuar, duke shtuar se kryeministri i Kosovës duhet të ulet të diskutojë me ndërkombëtarët dhe të ecë përpara.

Për Kosovën do të ishte një humbje e madhe nëse do të themelohej Asociacioni që u jep serbëve në veri të drejta ekzekutive, theksoi Halimi.

“Kurti e di që ai ka thënë kur ishte në opozitë që nuk do të bënte asnjë lloj Asociacioni. Tani kur ka ardhë në pushtet, krejt këto gjëra Kurti i bën me qëllim vetëm për të mos themelu Asociacionin dhe për mos me u djeg politikisht. Unë besoj se ai e ka gabim, ai duhet të ulet me ndërkombëtarët, të krijojë një ekip dhe të ecë para me dialogun. Krizat vijnë njëra pas tjetrës vetëm sepse Kurti, nuk pranon një gjë të tillë.

Nëse themelohet një Asociacion sic kërkojnë serbët, unë besoj se Kosova do të humbë shumë dhe shkon drejt humnerës.

Ndërkombëtarët i kërkojnë themelimin e Asociacionit, pa kompetenca ekzekutive” u shpreh Halimi./abcnews.al