Që nga momenti që dolën në shitje biletat për ndeshjen e Shqipërisë ndaj Çekisë, shumë mister qarkulloi në ajër. Kjo pasi të gjitha biletat, pra 21 mijë bileta avulluan menjëherë dhe një pikëpyetje e madhe lindi në kokën e çdo qytetari shqiptar.
Megjithatë, një gjë është e sigurt, stadiumi do të jetë i mbushur në maksimum me tifozë nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm. Të gjithë kanë një qëllim, të mbështesin kombëtaren në këtë ndeshje tepër të rëndësishme, edhe pse jo vendimtare pasi matematikisht një fitore nuk do të thoshte sigurimin e Euro 2024 që do të mbahet në Gjermani. Një fitore ndaj rivalëve tanë të grupit do të na jepte një shtysë të madhe dhe praktikisht do të jemi të kualifikuar, por siç u tha edhe më sipër, matematika mund të provojë të kundërtën.
Tifozët u shqetësuan shumë për biletat, por biletën më të rëndësishme në këtë “treg” po e kërkon kombëtarja jonë e Shqipërisë, biletën e artë për në Berlin. Sylvinho me luftëtarët e tij do të provojë sot me të gjitha forcat e tyre për të mposhtur një rivalë të fortë siç është Çekia. Armët i kemi të gjitha, edhe pse na mungon “bomba” Armando Broja për shkak se në stërvitjen e djeshme ndjeu dhimbje në gjurin e operuar dhe trajneri brazilian bëri me dije se sulmuesi i Chelsea do të mungojë në sfidën e sotme.
Pra, e thënë shkurtimisht, sot kombëtarja kuqezi do të luftojë deri në fërshëllimën e fundit për biletën më të rëndësishme të tregut, atë të Berlinit. Sot mund të jetë dita e festës së madhe, ose mund të jetë dita ku do të krijohet ankthi që do të zgjasë edhe për ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Ishujt Faroe.
Gjithçka sot varet nga vetë ne, pasi edhe kartat janë në favorin tonë, me stadiumin tonë dhe me tifozerinë tonë./ h.ll/abcnews.al