Prokurorët federalë shtuan akuza të të tjera të rënda ndaj republikanit të Dhomës së Përfaqësuesve, George Santos, për mashtrim dhe gënjeshtra në lidhje me financimin e fushatës së tij, duke paraqitur prova se ai vodhi identitetet e donatorëve duke tërhequr mijëra dollarë nga kartat e tyre të kreditit pa dijeninë e tyre
Akuzat e reja, të zbuluara në një aktakuzë të martën nga një juri e madhe në Nju Jork, shtojnë rrezikun për kongresmenin, duke pasur parasysh se ish-arkëtarja e fushatës së tij, Nancy Marks, javën e kaluar u deklarua fajtore për mashtrim.
Santos u akuzua në maj se ishte përfshirë në raste të mashtrimit, pastrimit të parave, vjedhjes së fondeve dhe dhënies së deklarateve të rreme. Santos, i cili fitoi vendin e tij në kongres përmes një fushate të ndërtuar pjesërisht mbi gënjeshtra, u deklarua i pafajshëm për ato akuza.
Santos dyshohet se ka gjetur një mënyrë për të vjedhur identitetin dhe informacionet rreth financave të donatorëve të fushatës së tij, të cilat u përdorën për të vjedhur kartat e tyre të kreditit, duke depozituar paratë e fushatës në llogaritë e tij bankare.
Skema përfshinte një rast ku Santos dyshohet se vodhi detajet e faturimit të dy kartave të kreditit të një donatori dhe tranfeseroi paratë në llogarinë e tij. Për të shmangur faktin se ato i kalonin kufijtë ligjorë, thanë prokurorët, Santos listoi në mënyrë të rreme veten dhe të afërmit si burimet e fondeve.
Në një rast, thanë prokurorët, Santos tërhoqi 12,000 dollarë nga karta e kreditit të një donatori, para që përfunduan në llogarinë e tij personale bankare.
Kongresmeni do të paraqitet në gjykatën federale më 27 tetor, ku ka të ngjarë të paditet për akuzat e reja kundër tij.
/abcnews.al