Vllaznia triumfoi kundër Kukësit dhe mori pikët e plota, çka i dha shkodranëve vendin e parë në klasifikim. Gjithsesi në Shkodër nuk fluturojnë, pasi e dinë shumë mirë se ka shumë ndeshje dhe gara deri në fund do të jetë e vështirë.
Braziliani Hygor, autori i goli të parë me Kukësin, deklaron: “Jemi të parët, por tani ka nisur kampionati. Ka shumë ndeshje dhe duhet t’i shohim ndeshjet hap pas hapi. Duhet të mendojmë për Partizanin, të pushojmë pak tani dhe më pas të stërvitemi për ndeshjen e radhës”.
I pyetur për ecurinë e Vllaznisë, ai shton: “Trajneri është i ri. Kemi një miks mes lojtarëve me eksperiencë dhe atyre të rinj, kjo është rruga e duhur. Mund të fitojmë dhe të bëjmë edhe më shumë. Tani kemi më shumë besim dhe jemi në një moment shumë të mirë. Mund të bëjmë edhe më shumë këtë sezon”.
Hygor ka edhe një dedikim për golin: “Jam shumë i lumtur për golin. Zoti po më ndihmon. Kam shënuar tre gola dhe jam shumë i kënaqur. Nuk mund ta përshkruaj se si ndihem për golin. Dedikim? Goli ia dedikoj djalit tim. Më tha që nëse shënoj të festoj duke iu drejtuar Zotit. Shënova dhe bëra atë që ai më tha”. /abcnews.al