Fillimi nuk është asnjëherë i lehtë dhe Matthijs De Ligt e priste diçka të tillë në Serie A. Kualiteti i 19-vjeçarit nuk vihet në dyshim dhe përshtatja me futbollin italian e ekipin e ri po ndodh shpejt.
Juventusi kishte një plan tjetër dhe gjithçka do të ndodhte gradualisht, por dëmtimi i Chiellinit detyroi Sarrin t’i jepte holandezit bluzën e titullarit. De Ligt po punon fort dhe po mëson nga dita në ditë.
Qendërmbrojtësi rrëfen në një prononcim për Nu.nl se pas barazimit 2-2 kundër Atletico Madrid në Champions vendosi të ndryshonte diçka në aspektin personal. Shenjat pozitive filluan të dallohen dhe De Ligt është afër rikthimit në formën e tij më të mirë.
“Pas ndeshjes me Atletico Madrid vendosa të riorganizoj idetë e mia. Duhet të zbrisja sërish me besim të madh në fushë. Nga ai moment filloi të përmirësohej gjithçka. Nuk do doja ta shkaktoja kurrë penalltinë kundër Interit, por rëndësi ka që fituam në fund.
Është çmenduri dhe lajm fals që Sarri më ka përgatitur një dietë për t’u dobësuar. Chiellini dhe Bonucci po më ndihmonin në fillim për t’u përshtatur, por dëmtimi i kapitenit më përfshiu menjëherë në lojë. Ishte dhe është një sfidë shumë e bukur”, përfundon holandezi i Juventusit. /abcnews.al