Kanali i Panamasë është një mrekulli e inxhinierisë amerikane dhe një nga veprat më të rëndësishme publike të shekullit të 20-të. Ndërtimi i tij kushtoi 375 milionë dollarë dhe ka dëshmuar të jetë një arterie kritike për ekonominë botërore.
Kanali i Panamasë bashkohet me Oqeanin Atlantik dhe Paqësor përmes një kanali 65 km, duke lejuar për shembull anijet që udhëtojnë nga Lindja e SHBA në Bregun Perëndimor të shkurtojnë udhëtimin e tyre me 8,000 milje detare (15,000 km).
Ndërtimi i kanalit filloi në vitin 1904 dhe anija e parë tregtare kaloi më 15 gusht 1914, dy javë pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore në Evropë.
Projekti kushtoi 375 milionë dollarë.
Në dekadat në vijim, kanali e vendosi Panamanë, një vend me pak burime natyrore, në tabelën ekonomike globale të shahut.
SHBA-të e kontrolluan kanalin deri në vitin 1979, më pas projekti u menaxhua nga Komisioni SHBA-Panama, ndërsa më 31 dhjetor 1999, Panamaja mori kontrollin e plotë të kanalit.
Vitet e fundit, ndërsa anijet janë bërë gjithnjë e më të mëdha, kanali është dashur të zgjerohet.
Ngarkesa me vlerë gjithsej 270 miliardë dollarë vlerësohet të kalojë përmes kanalit çdo vit, duke përfunduar në më shumë se 170 vende.
Por kohët e fundit, thatësira ka vështirësuar aktivitetet e kanalit. Ditë më parë, autoritetet përkatëse njoftuan se do të ulin numrin maksimal të anijeve që kalojnë nëpër kanal në 32 në ditë, pasi për shkak të reshjeve të kufizuara nuk ka ujë të mjaftueshëm për transportimin e varkave.
Mjafton të kihet parasysh se në kushte normale nga kanali kalojnë 36-38 anije në ditë.
Për shkak të vonesave në Panama, disa anije zgjedhin të marrin rrugë të tjera. Dhe siç shkruante së fundmi BBC, disa po “nxjerrin nga sirtari” idetë e vjetra për lëvizjen e anijeve dhe ngarkesave të tyre nga Paqësori në Atlantik.
Në fillim të viteve 1900, SHBA-të u përballën me dy zgjedhje: Ndërtimi i një kanali në Nikaragua ose Panama. Më pas, Senati amerikan votoi pro zgjedhjes së Panamasë, pasi rruga ishte më e shkurtër dhe ndryshe nga rasti i Nikaraguas, nuk kalonte mes një sërë vullkanesh aktive.
Por ideja e një kanali në Nikaragua nuk u braktis kurrë plotësisht. Një dekadë më parë, një biznesmen kinez promovoi një projekt të madh për ndërtimin e këtij kanali deri në vitin 2020. Pavarësisht planeve madhështore, projekti nuk u realizua kurrë.
Por për shkak të ndryshimeve klimatike, bisedat për një kanal të dytë në Nikaragua janë kthyer.
Teknikisht, mund të bëhet, tha për BBC Jean-Paul Rodrigue nga Universiteti Hofstra, i cili ka studiuar këtë çështje. Por pengesat janë të shumta, pasi distancat janë shumë më të gjata.
Rruga duhet të përbëhet nga dy kanale, që lidhin liqenin e Nikaraguas me Paqësorin në perëndim dhe Atlantikun në lindje. Kanali i parë do të jetë 25 kilometra i gjatë dhe i dyti do të jetë edhe më i gjatë, rreth 100 kilometra. Po për koston? Kjo do të kalonte 40 miliardë dollarë, vlerëson Rodrigue.
Pavarësisht kostove financiare dhe mjedisore (shkatërrimi i pyjeve tropikale dhe ligatinave, ndotja e ujit të liqenit të Nikaraguas, etj.), në vitin 2013, kompania kineze HKND nënshkroi një marrëveshje me qeverinë e Nikaraguas, duke siguruar për 50 vjet të drejtën për të ndërtuar kanalin. Deri më tani, marrëveshja nuk ka sjellë ndonjë rezultat dhe HKND mbylli zyrat e saj në Hong Kong në 2018.
Megjithatë, zyrtarët e Nikaraguas këmbëngulin se projekti nuk ka “vdekur”, por do të ndodhë së shpejti, me një pjesëmarrje nga Bjellorusia.