E pabesueshme ajo çfarë ndodh në klubin spanjoll të Valencias. Drejtuesit nuk i durojnë kritikat dhe kjo u kuptua disa ditë më parë, kur Santiago Canizares tregonte se presidenti Anil Murthy kishte anuluar një projekt për të luftuar kancerin e fëmijëve. E gjitha për shkak të qëndrimeve kritike të ish-portierit legjendat.
Valencia nuk është ndalur me kaq. “Onda Cero” ka zbuluar se drejtuesit e klubit spanjoll kanë pasur një takim me kompaninë mediatike, Mediapro, që bën transmetimin e ndeshjeve në La Liga. Thuhet se ata kanë bërë disa kërkesa, që në fakt janë të çuditshme.
Zyrtarët e Valencias duan që të mos transmetohen protestat që tifozët bëjnë ndaj pronarit Peter Lim dhe presidentit Anil Murthy. Veç brohoritjeve kundër që nuk duhen transmetuar, synimi është që të mos shfaqet asnjë banderolë kundër pronarëve të klubit.
Ndërkohë Valencia së fundmi ka dalë me një deklaratë për mediat, ku vë në dukje faktin që presidenti Anil Murthy ka marrë kërcënime për vdekje. Çështja ka kaluar në polici dhe janë vënë në dispozicion të tyre mesazhet e dërguara. /abcnews.al