Kurti: Jo bashkim shqiptar gjatë kohës që do të jem kryeministër

schedule23:01 - 7 Tetor, 2019

schedule 23:01 - 7 Tetor, 2019

Albin Kurti ka deklaruar se taksa për mallrat serbe do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit me Beogradin. Në një intervistë dhënë për austriaken “Der Standard” në mbyllje të fushatës së tij elektorale, fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë është treguar pesimist edhe për realizimin e bashkimit kombëtar, për shkak të kufizimit që vendos Kushtetuta për referendum popullor.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se bashkimi shqiptar nuk ka gjasa të ndodhë gjatë kohës që ai do të jetë kryeministër. Në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, një ditë para zgjedhjeve në Kosovë, Kurti ka theksuar se për momentin një gjë e tillë është e pamundur nga aspekti kushtetues.

“Mendoj se njerëzit do të votonin pro bashkimit nëse do të kishte një referendum. Por referendumi nuk lejohet. Ndaj unë do të respektoj Kushtetutën derisa një ditë të jemi në gjendje ta ndryshojmë atë në mënyrë paqësore dhe demokratike. Por kjo nuk do të ndodhë së shpejti”, ka deklaruar Kurti.

I pyetur se si do të veprojë në lidhje me tarifat mbi produktet serbe të vendosura nga qeveria Haradinaj, Kurti është përgjigjur se do ta trajtojë atë nga aspekti i reciprocitetit.

“Këto tarifa nuk janë politika jonë. Ne do ta zëvendësojmë atë me parimin e reciprocitetit. Serbia, për shembull, duhet të pranojë targat tona dhe dokumentet ‘Republika e Kosovës’”, ka nënvizuar Kurti.

Sa i takon marrëveshjes me Serbinë, kreu i Vetëvendosjes është shprehur se ajo është e nevojshme për të ardhmen europiane të Kosovës. Sipas tij, integrimi i Ballkanit perëndimor në BE duhet të ndodhë në bllok dhe jo individualisht.

“Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të rëndësishme dhe pa një njohje reciproke, aksesi në BE nuk është i mundur. Në çdo rast, unë do të doja që të gjashta vendet e Ballkanit të futeshin në BE njëherësh”, ka thënë Kurti.

I pyetur lidhur me kërkesat e Serbisë për krijimin e Shoqatës së Komunave Serbe në veri të Kosovës, Kurti është përgjigjur duke thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Gjykata Kushtetuese e ndaloi këtë. Dhe çfarë ndodhi? Asnjë serb i Kosovës nuk protestoi. Protestoi vetëm Beogradi. Ne duhet të dëgjojmë zërin e serbëve të Kosovës dhe jo atë të Beogradit, pasi Beogradi nuk mund të flasë për ta”, ka vijuar Kurti.

Sa i takon marrëdhënieve me presidentin Hashim Thaçi, kreu i Vetëvendosjes ka lënë të kuptohet se në përfundim të mandatit Thaçi duhet ta lirojë postin që mban./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!