Ardian Mema duket gjithmonë e më larg Tiranës. Trajneri kryeqytetas dhe presidenti Refik Halili nuk kanë më raportet e fillimit dhe kjo gjë është pranuar edhe nga vetë dyshja. Pas ndeshjes kundër Partizanit, Halili nuk u përmbajt aspak, duke thënë se disa njerëz nuk po e bëjnë punën e tyre siç duhet. Përveç disa lojtarë, Halili e ka pasur dhe me Memën.
Ndërsa Mema, pas barazimit 2-2 me Flamurtarin, tha se disa vendime nuk i merr ai, referuar zëvendësimit të Hoxhallarit. Po ashtu, tekniku e tha hapur që ai ishte një vendim i bordit drejtues. Si Halili, ashtu dhe Mema, e kanë thënë publikisht se do të ulen ballë për ballë njëri-tjetrit, për të diskutuar për të ardhmen.
Deri më tani, ky takim nuk ka ndodhur ende dhe Mema është për momentin trajner i Tiranës. Pas shtatë javësh kampionat, Tirana ka 3 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje. Bardheblutë qëndrojnë në vendin e pestë në renditje, me 11 pikë./abcnews.al