KE përshëndet zgjedhjet në Kosovë: Të nisë puna për reformat dhe dialogun

schedule16:20 - 7 Tetor, 2019

schedule 16:20 - 7 Tetor, 2019

Komisioni Europian kërkon nga qeveria e re që do të krijohet të mos humbasë kohë, por të nisë punën për realizimin e reformave dhe rifillimin e dialogut me Serbinë. Komisioni përshëndeti atmosferën në të cilën u mbajtën zgjedhjet.

Komisioni Europian, përmes zëdhënëses Maja Koçijançiç ka deklaruar se Kosovën dhe qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e së dielës e presin shumë punë, sidomos sa i takon reformave dhe dialogut me Serbinë.

“Ka shumë punë të rëndësishme përpara për Kosovën dhe qeverinë e saj të re për të përparuar në reformat për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, sundimin e ligjit, si dhe për rifillimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga Bashkimi Europian”, ka deklaruar Koçijançiç.

Zëdhënësja ka vlerësuar atmosferën në të cilën u zhvilluan zgjedhjet ditën e diel dhe nivelin e pjesëmarrjes së votuesve, më i madh se në vitin 2017.

“Dje ishte një ditë e mirë për demokracinë në Kosovë. Votuesit dolën në numër më të madh se në vitin 2017 për të dhënë votën e tyre dhe për të bërë të dëgjohet zëri i tyre. Do të duhet akoma pak kohë derisa rezultatet përfundimtare të jenë gati”, ka deklaruar Koçijançiç.

Me ftesë të Presidentit të Kosovës, Bashkimi Europian dërgoi një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve. Misioni do të paraqesë vlerësimin e tij paraprak ditën e martë dhe në muajt e ardhshëm do të publikohet raporti përfundimtar me disa rekomandime që do të duhet të trajtohen.

/abcnews.al