Vrasja e kandidatit për president të Ekuadorit, ekzekutohen në burg 6 të akuzuarit

schedule08:37 - 7 Tetor, 2023

schedule 08:37 - 7 Tetor, 2023

Gjashtë kolumbianë që mbaheshin në një burg në Guayaquil, në pjesën jugperëndimore të Ekuadorit, u vranë të premten. Viktimat u akuzuan për vrasjen e kandidatit presidencial të Ekuadorit, Fernando Villavicencio, njoftuan autoritetet (SNAI).

Një kritik ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, Villavicencio, 59 vjeç, u qëllua për vdekje nga persona të armatosur më 9 gusht teksa po largohej nga një tubim i fushatës në kryeqytetin Quito.

Policia arrestoi gjashtë kolumbianët disa orë pas vrasjes së Villavicencio, ndërsa i shtati u vra në një shkëmbim zjarri me forcat e sigurisë.

Disa nga burgjet e Ekuadorit janë bërë qendra të operacioneve të bandave, që luftojnë për pushtet dhe kontrollin e tregtisë së drogës. Që nga shkurti i vitit 2021, të paktën 430 të burgosur janë vrarë brenda burgjeve të vendit.

Dikur një oaz paqeje në Amerikën Latine, Ekuador, midis Kolumbisë dhe Perusë, dy vendet ku prodhohen sasitë më të mëdha të kokainës në botë, është rrënuar vitet e fundit nga një valë dhune e lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Shkalla e vrasjeve është katërfishuar në krahasim me vitin 2018, nga 6 në 26 për 100 mijë banorë.