Kombëtarja shqiptare do rikthehet në aksion në muajin tetor, pasi ka në program ndeshjen kualifikuese të “Euro 2024” ndaj Çekisë dhe miqësoren me Bullgarinë. Ditën e sotme trajneri Sylvinho ka shpallur edhe listën e futbollistëve që do të ketë në dispozicion.
Në listën e përbërë nga 25 futbollistë ka ndryshime të pakta në krahasim me sfidat ndaj Çekisë dhe Polonisë në shtator. Rikthehet me Kombëtaren sulmuesi Armando Broja, i cili e ka lënë pas dëmtimin në gju dhe së fundmi edhe ka luajtur me Chelsea-n në Premier League. Këtë herë do të mungojë Odise Roshi, ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve janë konfirmuar nga ana e trajnerit brazilian të Kombëtares.
Shqipëria do të nisë zyrtarisht përgatitjet të hënën, më 9 tetor, në “Shtëpinë e Futbollit”. Lojtarët do të grumbullohen në kryeqytet, ndërkohë që është programuar që trajneri Sylvinho të dalë në konferencë për mediat ditën e shtunë prej orës 11:00 në sallën e konferencave në “Shtëpinë e Futbollit”.
Kombëtarja kuqezi do t’i luajë në “Air Albania” të dyja ndeshjet e tetorit. Fillimisht Shqipëria përballet me Çekinë më 12 tetor, prej orës 20:45, ndërsa më pas në program është miqësorja me Bullgarinë më 17 tetor, ora 18:00. /FSHF
Lista e lojtarëve: