Vdekja e 3-vjeçarit/ Zbardhet kallëzimi i babait: Mjekët na siguruan se djali s’do kishte asnjë problem, dua drejtësi

schedule10:29 - 6 Tetor, 2023

schedule 10:29 - 6 Tetor, 2023

TIRANË- ABC News ka siguruar kallëzimin që ka bërë babai i 3-vjeçarit, Brian Spahiu, i cili humbi jetën pasi shkoi të marrë shërbim në klinikën private dentare “Splendent”.

Në kallëzim, babai i 3-vjeçarit, Bledar Spahiu thotë se më datë 28 shtator e kanë çuar djalin në klinikën e Roland Xhaxhos dhe Ina Xhaxhos për t’i bërë ndërhyrjen kirurgjikale për mbushjen e dhëmbëve.

Ai mes tjerash thotë se mjekët i kishin garantuar se nuk do t’i ndodhte asgjë fëmijës, ndërkohë ndërhyrja do të zgjaste për rreth tre orë.

Babai i të ndjerit ka treguar edhe marrëveshjen financiare, që kishte bërë me doktorët, për kujdesin dentar që do merrte i biri.

“Banoj në adresën e mësipërme dhe aktualisht jam në punë private në Tiranë. Në datë 28.09.2023 rreth orës 10.00 kam çuar çunin e vogël shtetasin Brian Spahiu 3 vjeç te spitali privat “Roland Xhaxho” në rrugën e “Kavajës” për të mjekuar dhëmballën. Ne kemi rene dakord për shifrën e lekëve që duhet të paguanin rreth 300 euro dhe 103 mijë lekë të reja në spitalin privat përkatës në lidhje me mjekimin si me mjekun shtetasin Roland Xhaxho ashtu dhe me stomatologen shtetasen Ina Xhaxho te cilët na garantuan se fëmija nuk do të këtë asnjë problem. Garanci të cilën na i kanë dhënë dhe pas daljes nga salla e operacionit pasi ndërhyrja ju be për rreth tre ore nga ora 10.00 deri ne orën 15.20 këtu me gjithë kohen e vizitës kur ka dale doktori Rolandi i cili na ka thënë se operacioni doli me sukses dhe djalit po i del narkoza do prisni dhe pak sa t’i dalë tamam narkoza. Ndërkohë që po vonohej për të dalë ne i kemi kërkuar doktorit se si është gjendja e djalit dhe ai na është përgjigjur se gjendja është normale stabile gjë qe te cilën e bëmë për dy-tre here dhe doktori vazhdonte na thoshte se gjendja e djalit ishte normale brenda parametrave. Rreth orës 19.00 ne e kemi nxjerre djalin nga spitali pasi është në rregull, por kur e kemi marrë djalin kemi vënë re se djali nuk ishte plotësisht në rregull pasi nuk ishte i zgjuar dhe për këtë gjë kemi vënë në denji doktorin Roland Xhaxho i cili bëri dhe ndërhyrjen. Kurse ai na është përgjigjur se djali është në rregull merreni në shtëpi sa t’i dale narkoza. Ndërkohë na ka dhënë dhe një recete me ilaçe për qetësim dhe ne ashtu bëmë morëm dhe shkuam ne shtëpi siç na ka thënë doktori. Më pas ka vazhduar terapia e cila nuk dha rezultat dhe djali ka vdekur në datë 01.10.2023 rreth orës 18.10 ku prezente ka qene dhe mjeku i cili ka bërë ndërhyrjen në momentin fillestar shtetasi Roland Xhaxho. Dua që kallëzimi im të ndiqet ligjërisht. Gjë tjetër nuk kam për të shtuar sa më sipër janë fjalët e mia dhe pasi i shoh të shkruara drejt i firmos pa vërejtje”, thuhet në kallëzim.

Prokuroria e Tiranës njoftoi të premten se ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë me akuzën “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”./n.m.abcnews.al