Para mamografisë në poliklinikën qendrore në Tiranë ka radhë. Gra, kryesisht mbi të 50 –tat presin për të kryer kontrollin e gjirit. Disa e kanë kthyer në vizitë periodike për shkak të problemeve që kanë ndërsa të tjera prej asaj që kanë dëgjuar.
Por shumë gra të tjera nuk kanë kryer mamografi apo eko gjiri asnjëherë gjatë jetës së tyre.
Por kur shfaqen shenja mjekët thonë se mund të jetë vonë. Ata apelojnë për kontrolle të vazhdueshme dhe shprehen se kapja e hershme e sëmundjes shpëton jetën.
Nëse në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në këtë poliklinikë kryhen deri në 100 vizita në ditë, muajt e tjerë të vitit mjekët thonë se nuk realizohet as gjysma e tyre.
Ndërkohë të prekurit nga kanceri i gjirit sipas Institutit të Shëndetit Publik janë shtuar. Rreth 710 raste të reja u zbuluan vetëm vitin e shkuar ndërsa 197 gra humbën jetën prej sëmundjes. /abcnews.al