“Kam një skuadër të shkëlqyer”, Pochettino i lumtur për Brojën: Jami i kënaqur për të, i duhej goli

schedule08:36 - 3 Tetor, 2023

schedule 08:36 - 3 Tetor, 2023

“Ylli” i sulmit të Kombëtares sonë, Armando Broja është kthyer më në fund në “rrugën” e golit, teksa në përballjen e mbrëmjes të së henës arriti të shënojë golin e dytë dhe të fundit të sfidës, në “derbin e Londrës” përballë Fulham.

Pas ndeshjes tepër i lumtur për performancën e 22-vjeçarit ishte dhe tekniku Mauricio Pochettino, i cili për mediat, përveç se lavdëroi aftësitë e sulmuesit shqiptar foli dhe për fitoren e parë në transfertë të “bluve” të tij.

“Është e rëndësishme për ne që ndërtuam besimin tonë. Ndeshja ishte shumë e mirë. Jam shumë i lumtur për lojtarët dhe morëm atë që merituam. Goli i parë i Mudryk? Është shumë e rëndësishme për sulmuesit që të shënojnë. Ai luajti shumë mirë. Ishte i pafat në pjesën e parë, ndjeu diçka, por nuk është një problem dhe do të jetë gati për fundjavën. Jam shumë i lumtur për të dy shënuesit. Jam i kënaqur edhe për Brojën, i cili kishte munguar për një kohë të gjatë.

Në çdo skuadër që ka probleme të mëdha me dëmtimet si ne, rezultatet mund të mungojnë. Por ne nuk jemi përpjekur që ta përdorim këtë si një justifikim. Kjo është një skuadër e shkëlqyer dhe shumë e talentuar. Ne jemi në një proces ndërtimi. Ky është një projekt që mendoj se do të dojë dy vite për të mbërritur deri në fund. Shpresojmë që kjo fitore të jetë pika e kthesës dhe të vijojmë të rritemi”,- u shpreh argjentinasi. /i.m /abcnews.al