“Na duhet një plan për ta bërë ofertën akademike më atraktive”, Manastirliu: Degët prioritare? Krahas bursave, po punojmë edhe me rritjen e pagave

schedule20:52 - 2 Tetor, 2023

schedule 20:52 - 2 Tetor, 2023

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, gjatë intervistës për emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla theksoi se po punohet në shumë drejtime për të ndërtuar një platformë që do ta bëjë ofertën akademike më atraktive në Shqipëri. Kjo, sipas ministes, mund të bëhet me programet e shkëmbimit ndërmjet universiteteve me ato të huaja si edhe programet e përbashkëta.

“A ka nevojë që universiteti të hapet? Drejt industrisë, biznesit, drejt kërkimit shkencor akoma më shumë të shpejtë në raport me instrumentat e jashtëm që universiteti duhet të ketë. Dhe me profesorët e nderuar kam pasur një takim dhe kemi diskutuar sfidat e arsimit të lartë sepse zhvillimet dhe ndryshimet demografike janë sfida për shoqërinë tonë. Sfida demografike nuk ka prekur vetëm Shqipërinë. Edhe italianët shkojnë dhe studiojnë në vendet skandinave. Ne nuk mund të mos jemi krenar për universitetet tona. O do të vendosim të jemi në një listë ose të jemi racionalë dhe të flasim vërtet se ku janë pikat delikate ku duhet të punojmë më fort. Aty ku duhet të punojmë më fort është një ndërveprim dhe bashkëpunim akoma më i ngushtë i universitetit me ministrinë, dhe të jemi më shumë dhe afër programeve evropiane që forcojnë kapacitetet dhe burimet tona njerëzore. Programet e shkëmbimit që janë përfshirë në instrumentat e punës së përditshme sepse ardhja e profesorëve të huaj, bërja e programeve të përbashkëta dhe mundësia që të hapen kampuse universitare të universiteteve prestigjioze, kjo do ta ndryshojë dhe do ta bëjë më atraktive ofertën akademike në Shqipëri. Jemi duke u përgatitur sepse nuk është e lehtë të ndryshosh dhe mendësinë. Psh ndryshimet e teknologjisë janë duke ndryshuar botën dhe universitetin shpejt. Jemi duke punuar në shumë drejtime. Shumë punë janë bërë në këto 10 vite. Piketat që kemi ngritur së bashku këto adresojmë për të ndërtuar një platformë se ku do të jetë arsimi i lartë në 2030. Na duhet një plan agresiv se ku do të jemi ne me programet e studimit.”, tha Manastirliu.

Ndërkohë, duke u ndalur tek degët që janë më pak të preferuara për studentët, ajo theksoi se krahas bursave po punojnë paralelisht edhe me rritjen e pagave.

“Një fakt qe është interesat janë degët që kanë lidhje me infermierinë, IT, teknologjinë, mjekësinë zënë gati 50 për qind të kërkesave që domethënë se potenciali që duan të shkollojnë shkojnë tek ato degë, përfitimet e të cilave janë edhe më të mëdha. Çfarë po bëjmë ne për këtë gjë. Nuk është një çështje që i përket politikës agresive. Na prek të gjithëve. Do kemi programe të reja që të rrisim këto kuota që të kemi mësues matematike, fizike, kimie, për shkencat në tërësi dhe paralelisht me dhënien e bursave sa pagat minimale për kuotat e studentëve që duam t’i kemi në ciklin tonë të sistemit arsimor, ne të mundemi që të vijojmë me rritjen e pagave. Nuk e bën dot atraktive vetëm duke mundësuar bursën.”, u shpreh Manastirliu./abcnews.al