Një bloger rus u dënua sot me 8.5 vjet burg për një postim që kritikonte operacionet ushtarake në Ukrainë. Kjo është një tjetër goditje ndaj atyre që kundërshtojnë luftën në atë vend.
Alexander Nozdrinov u shpall fajtor nga një gjykatë ruse për “përhapje të informacionit të rremë” për ushtrinë ruse sipas kodit penal të rishikuar pas pushtimit të Ukrainës, sipas organizatës joqeveritare Net Freedoms Project.
Blogeri mban një kanal në YouTube, përmes të cilit shpesh kritikon sjelljen e punonjësve të policisë rrugore. Memorial, organizata më e madhe joqeveritare ruse për të drejtat e njeriut, e cila gjithashtu është vënë në shënjestër nga autoritetet, e përshkruan atë si një “të burgosur politik”.
Sipas OJQ-së OVD-Info rreth 20,000 njerëz janë arrestuar në Rusi që nga pushtimi i Ukrainës për shprehjen e mospajtimit të tyre me luftën. Disa prej tyre u dënuan me dënime të rënda. Vetëm javën e ardhshme, gjykatat ruse do të shqyrtojnë 85 çështje të motivuara politikisht.
Memorial vlerëson se të burgosurit politikë sot në Rusi numërojnë 601.
Pothuajse të gjithë disidentët e njohur kanë ikur nga vendi ose janë burgosur, si Alexei Navalny, i cili u dënua me 19 vjet burg.