Zanioli për kalimin tek Aston Villa: E kisha ëndërr të luaja në Premier League

schedule16:36 - 28 Shtator, 2023

schedule 16:36 - 28 Shtator, 2023

“Aventura” e tij në Turqi zgjati shumë pak dhe tashmë, “fantazisti” italian i sulmit, Nicolo Zaniolo është pjesë e një prej klubeve më të njohur në Premier League, Aston Villa, klub në të cilin u transferua gjatë merkatos së verës.

Italiani ka nisur të fitojë gjithnjë e më shumë minuta në skuadrën e trajnerit Unai Emery ndërsa së fundmi shprehet me siguri se për kualitetet e tij, futbolli anglez i përshtatet më shumë se ai italian ku mendohet më shumë për aspektin difensiv.

“Ishte një verë pak e çuditshme për mua, sepse fillimisht te Galatasaray më lajmëruan se isha pjesë e projektit dhe se do të luaja në Champions League. Por, më pas ishte Monchi që më telefonoi dhe më foli për mundësinë e kalimit te Aston Villa. Nuk e mendova dy herë sepse e konsideroj si një mundësi të madhe të luajturit në Premier League.

Edhe te Galatasaray e kuptuan që Aston Villa ishte një shans për mua dhe kështu u transferova në Angli. Këtu mund të them me siguri se infrastruktura është më e zhvilluar se në Itali dhe është një tjetër futboll.

Në Itali ka më shumë taktikë, studim të kundërshtarit ndërsa në Angli luhet një futboll më dinamik. Për karakteristikat e mia mendoj se futbolli anglez më përshtatet më shumë se ai italian. Sapo mbërrita këtu e kuptova menjëherë rëndësinë dhe historinë e një klubi si Aston Villa dhe ula kokën për të punuar”,- u shpreh Zaniolo. /i.m /abcnews.al