Policia në vendet e Amerikës së Jugut është në kërkim të një drejtuesi bande venezueliane, i cili u arratis nga burgu luksoz që ai kontrollonte pak para një bastisjeje nga autoritetet venezueliane.
Të mërkurën e kaluar një ushtri prej 11,000 ushtarësh dhe policësh hynë në burgun Tocoron të drejtuar nga të burgosurit. Megjithatë, Hector Guerrero Flores, kreu i bandës kriminale transnacionale Tren de Aragua, nuk gjendej askund.
Ndërsa Flores drejtonte burgun, Tocorón filloi t’i ngjante një resort luksoz, i kompletuar me një kopsht zoologjik, qendër argëtimi dhe pishinë.
Flores, 39 vjeç, ka qenë brenda dhe jashtë Tocoron për më shumë se një dekadë. Në vitin 2012 ai arriti të arratisej nga burgu duke i dhënë ryshfet gardianëve. Ai u arrestua në vitin 2013 dhe u kthye në të njëjtin burg, por fuqia e tij brenda burgut u rrit.
Ai e ktheu Tocorón në qendër të Tren de Aragua, por edhe në një hotel luksoz.
Familjet e të burgosurve u shpërngulën në kompleks, ndërsa të burgosurit kishin akses në një bankë të improvizuar, bastevënës, restorant dhe fushë bejsbolli. Fëmijët e tyre mund të admironin flamingot dhe strucat në kopshtin zoologjik.
Flores, raporton BBC, mund të hynte dhe të dilte sa herë të donte. Madje, në vitin 2016, policia e pa në një festë në një jaht!
Brenda burgut, Flores kishte një apartament të tërë për vete, me krevate dopio, ekrane plazma dhe sisteme zanore, madje edhe truprojat e tij. Askush nuk mund të hynte në apartament pa lejen e tij.
Kështu ai mund të vazhdonte të vepronte i patrazuar dhe të zgjeronte organizatën e tij kriminale në Kolumbi, Ekuador, Peru dhe Kili me zhvatje emigrantësh, trafikim njerëzor për qëllime seksuale, vrasje dhe rrëmbime.
Është pikërisht ky presion nga udhëheqësit e Amerikës së Jugut që besohet se ka çuar në operacionin masiv të sigurisë të nisur nga autoritetet venezueliane javën e kaluar në Tocorón.