Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, beson se kriza që po kalon vendi ka bërë që shumë prej aktorëve politikë të ndihen nervozë. Sipas Patozit, Presidenti Meta ndihet i kërcënuar, duke e shprehur këtë në intervistat publike të tij ndërkohë që pohon se në një situatë të ngjashme është edhe kryeministri Rama.
Shpërthimet e vazhdueshme të Ilir Metës i konsideron legjitime. Astrit Patozi beson se kreu i shtetit në situatën e krijuar në vend ndihet i kërcënuar. I ftuar në emisionin “Provokacija” të gazetarit Mustafa Nano, Patozi flet për udhëkryqin që sipas tij gjendet Ilir Meta.
Nervozizmin e lexon edhe në sjelljet politike të Edi Ramës, i cili sipas Patozit ra në kurthin e dëshirës për pushtet. Reformën Zgjedhore e sheh si një rrugëdalje për krizën në të cilën ndodhet vendi dhe këshillon që aktorët politikë të mos e bëjnë atë si imponim të ardhur nga ndërkombëtarët.
Koordinatori i Bindjes Demokratike ka kërkuar vazhdimisht ndryshim të sistemit zgjedhor, duke ngritur gishtin e akuzës te kryeministri Rama dhe kreu i opozitës Basha si dy personat kryesorë që pamundësojnë këto ndryshime./ABC News Albania 24/7