Studime në degët prioritare, preferohen nga maturantët edhe për bursën që përfitojnë

schedule15:56 - 24 Shtator, 2023

schedule 15:56 - 24 Shtator, 2023

Paula Trashaj sapo është regjistruar në degën Biologji Marine në universitetin Bujqësor dhe në 2 tetor do të ulet për herë të parë në auditor. Drejt kësaj dege e ka tërhequr pasioni.

“Ka qene endrra ime. Jam tërheq prej pasionit. Për mua është ajo që kam qejf të bëj dhe të studioj. Jam shumë e lumtur dhe mezi pres të vazhdoj studimet për këtë degë. Merret  me studimin e gjallesave detare, me mënyrën me i kultivu dhe i rrit, mundesh me gjet vend pune”, ka thënë ajo.

Paula përfundoi maturën si ekselente dhe po ndjek endrrën e saj, por thotë se po përballet edhe me paragjykime.

“Jam ndikuar nga familja qe ka qenë mbështese, megjithese pjesa tjetër ka qenë shumë kundër, me thonë s’ke të ardhme, s’ka vende punë. Ndonjëherë me shihnin dhe çuditshme se ca është duke bërë, se kam mesatare të mirë dhe mundet të kapja edhe degë të mjekësisë ose inxhinieri, por ndonjëherë njeriu ndjek edhe pasionin jo vetëm paranë”, ka thënë ndër të tjera.

Programi Biologji Marine që ka zgjedhur Paula është në listën e listën e degëve me prioritet kombëtar. Ajo nuk do të paguajë tarifë studimi, ndërsa do të përfitojë edhe bursë sa paga minimale. Thotë se kjo do ta ndihmojë për të përballuar jetën studentore.

“Si një studente me shumë para nuk bëjnë asnjëherë keq. Po do ndikojë pozitivisht normalisht”.

Klajdi Piraj do të ndjekë studimet në degën “Inxhinieri agrare, mbrojtje bimesh”. Ndër arsyet se përse zgjodhi këtë degë, Klajdi rendit atë të përjashtimit nga tarifa si dhe përfitimi i bursës.

“Një nder arsyet kryesore që kam zgjedhur është universiteti i Kamzës që njihet, mundësia që të ofron për zero tarifë studimi dhe bursën sa paga minimale. Kjo është goxha suport për një student, prandaj vendosa të jem këtu”.

I riu thotë se pasi të përfundojë studimet do ta ketë të lehtë të punësohet, pasi sipas tij bujqësia ka nevojë të zhvillohet.

“Është pak pyetje konfuze për momentin, mund të iki jashtë për ndonjë trajnim, por të ardhmen e shikoj në Shqipëri”.

Për të nxitur të rinjtë të orientohen drejt tregut të punës, qeveria shpalli disa degë me prioritet kombëtar. studentët që zgjedhin këto degë përfitojnë bursë prej 40 mijë lekësh në muaj.

Numrin më të lartë të degëve prioritare e ka universiteti i Bujqësisë, për shkak se sektori i bujqësisë konsiderohet si kryesor për ekonominë shqiptare./abcnews.al