Si Edi Rama ashtu edhe Lulzim Basha e humbën një javë nga koha deri në Samitin e Këshillit Europian të 17-18 Tetorit. 9 kushtet gjermane për hapjen e negociatave, u panë si instrument për përplasjen e radhës të brendshme, e jo si një urë për dialog mes palëve.
Kryeministri ka rikthyer narrativën se është BE, ajo që nuk është gati për zgjerimin dhe i shkel syrin opozitës parlamentare, ndërsa kryetari i PD përcjell ultimatume në emër të opozitës politike. Aktori i tretë Ilir Meta është i fokusuar tek Komisioni i Venecias, që në një draft-opinion të kërkuar nga Kuvendi vërente se presidenti kishte tejkaluar kompetencat me anullimin e 30 qershorit, por akti nuk përbënte shkelje të rëndë kushtetuese.
Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?
https://youtu.be/vD1wl9xApEw
Edi Rama u shfaq të enjten, për herë të parë në foltoren e kuvendit për këtë sesion të ri parlamentar. Fati i negociatave të Shqipërisë pas kushteve gjermane, e kërkonte një shpjegim publik. Sapo ka lënë pas vitin e 6-të si Km, e prej 2014 vendi nuk po bën hap para për hapjen e negociatave. Njëlloj si qershorin e 2018, sikleti politik është i lexueshëm për një vendimmarrje, që do i hapte dritën jeshile negociatave Maqedonisë së Veriut e jo Shqipërisë. Në Bruksel ambasadorët e përhershëm të 28 vendeve anëtare, që përgatisin qëndrimin për ministrat e jashtëm, të cilët nga ana e tyre ia përgatisin Këshillit Europian, treguan në mbledhjen e parë përgatitore, se sa shumë skepticizëm ka për Shqipërinë.
Qeveria e mëparshme e djathtë në Danimarkë që kishte kundërshtuar hapjen e negociatave në qershor 2018, u rrëzua në zgjedhjet e një viti më vonë. Km socialdemokrate 41 vjecare daneze Mette Frederiksen, udhëheq një koalicion qeverisës me parti të majta e të qendrës së majtë, njëlloj skeptike si paraardhësja e djathtë.
Për momentin, duket se zgjidhja gjermane për të mos shkëputur Shqipërinë de jure nga Maqedonia e Veriut, duke i vendosur disa parakushte, ka bërë që Franca, kundërshtare e shpallur e zgjerimit të BE pa reformimin e tij, të mos shprehet ende. Padyshim që Kryeminiatri i është mirënjohës Gjermanisë e kancelares Merkel që i dha një rrugëdalje, por në debatin e brendshëm ua lexon shqiptarëve atë qëndrim, si problem të brendshëm të Gjermanisë.
Çfarë Kryeminsitri nuk thotë është se të paktën 4 nga detyrat e lëna nga Këshilli Europian qershorin e 2018, përmbushja e reformës zgjedhore, dialogu politik, ndëshkimi i korrupsionit në nivelet më të larta dhe ngritja e SPAK e BKH janë risjellë në listën e kushteve gjermane si të paplotësuara. Por Rama bashkohet në mendimin e përgjithshëm se RMV ka dhënë rezultate, edhe pse BE e ka zgjatur procesin për të me vite.
Maqedonia e ka marrë 9 vite para Shqipërisë, në dhjetor 2005 statusin e vendit kandidat, ndërsa ka përfituar njëkohësisht me Shqipërinë, në dhjetor 2009, lëvizjen pa viza në Shengen. Prej atëherë Maqedonia ka një ish Kryeministri në arrati nga dënimi me dy vjet burg për korrupsion, e një qeveri të re, që zgjidhi mosmarrëveshjen bllokuese me Greqinë, duke ndryshuar emrin në Maqedonia e Veriut. Ajo marrëveshje pati vlerësim të lartë ndërkombëtar, e të premten e javës politike që lamë pas, në Shkup e Athinë ishte vetë sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo.
Nga ana e saj, Shqipëria ka mbetur në vend numëro, prej qershorit 2014, kur mori statusin e vendit kandidat, edhe pas një rezolute mazhorancë-opozitë në kuvend, iniciuar nga PD. Por këtë rezultat KM e sheh si problem të BE e për ta ilustruar, sjell si shembull Kosovën.
Serbia në fakt e ka marrë statusin e vendit kandidat në mars 2012, 4 vjet pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë. 2 vjet më vonë, Serbia hapi negociatat e antarësimit me BE, e në 5 vjet proces, Beogradi ka hapur 17 nga 35 kapitujt e negociatave, dy nga të cilët i ka mbyllur.
Mali i Zi është vendi më i përparuar i rajonit në këtë drejtim. E mori statusin e vendit kandidat në dhjetor 2010, 4 vjet pasi kishte shpallur pavarësinë nga Serbia. Dy vjet më vonë hapi negociatat e antarësimit, e aktualisht ka hapur 32 nga 35 kapitujt e negociatave, 3 nga të cilat ka arritur t’i mbyllë, por pa një avancim në 2019.
Duket thënë se asnjë nga vendet e rajonit, nuk ka një problematikë të brendshme kaq të spikatur sa Shqipëria, sic është mungesa e theksuar e dialogut politik. Prej 7 muajsh vendi po përjeton një krizë të fortë politike, e cila u evdidentua në mocionin e Bundestagut, ku mes 9 kushteve, bashkë me paralajmërimin se kjo situatë ndikon tek negociatat me BE.
Ai që nuk sheh krizë në Shqipëri është Kryeministri Rama.
Lulzim Basha që e sheh krizën, nuk po arrin të artikulojë një strategji, që shkon përtej paralajmërimeve nga selia blu.
Një qasje me të cilën Kryeministri duket komod.
Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë dhe finalizimi i reformës zgjedhore janë dy kushtet gjermane të fazës së parë. Përballë propozimit të Bashës që kërkon ndërkombëtarët si aktorë në një proces jashtë kuvendit, Kryeministri thotë se mund ta miratojë reformën zgjedhore, edhe vetëm me opozitën parlamentare, pasi i vetëm nuk i arrin 84 votat e nevojshme. Opozita parlamentare nga ana e saj kërkon ndryshimin e sistemit, duke hapur listat e kandidatëve, cka do i hiqte ekskluzivitetin e përzgjedhjes, kryetarëve të partive.
Pavarësisht këtyre tiradave, Rama është po aq komod, pasi opozita parlamentare i jep legjitimitet kuvendit pas largimit të PD, LSI e aleatëve të tyre. Ç’ka i mbetet është të shpotisë të dy palët.
Dialogu gjithëpërfshirës është një nga 10 pikat e rezolutës në mbështetje të hapjes së negociatave, që Kuvendi miratoi me 108 vota pro të enjten, një iniciativë e Rudina Hajdarit e Senida Mesit. Një njohës i mirë i BE, si ish ministri i jashtëm Ditmir Bushati, propozon që kushtet e Bundestagut të kthehen në program pune, për një pakt kombëtar për integrimin, ku peshën më të madhe ia njeh mazhorancës ku bën pjesë.
Nga kampi i opozitës politike, Grida Duma i lexon 9 kushtet e Bundestagut si një detyrim për Ramën që të ulet në dialog për zgjidhjen e krizës
Njëlloj e sheh edhe Lulzim Basha që në takimin me strukturat më të larta të PD, kërkoi mobilizim për zgjedhje të parakohshme. Lulzim Basha nuk ka projektuar, të paktën publikisht një kohë për zgjedhjet e parakohshme, por kjo nuk e pengon të bëjë paralajmërime fushate. Me një letër të hapur paralajmëroi bankat javën politike që lamë pas që të mos rrezikojnë, duke financuar PPP-të që i konsideron korruptive, e që i anullon sapo të vijë në pushtet. Duket se KM nuk e shqetëson kjo strategji e Bashës e ka gati përgjigjen-batutë.
A po pret vallë Lulzim Basha vendimin e Këshillit Europian të 17-18 Tetorit për Shqipërinë, për të vepruar më pas? Mungesa e sigurisë që vendet e Unionit të ndikohen nga Gjermania e të hapin dritën jeshile si për RMV ashtu edhe për Shqipërinë, lexohet tek argumentet që përzgjedh KM për të justifikuar qëndrimin e vendeve skeptike. Finlanda, kryesuesja e rradhës e BE, e tha në Tr përmes ministrit të jashtëm qëndrimin pro Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.
Atë qëndrim e rimori KM, si argument shtesë në debatin e brendshëm, se përse Shqipëria rrezikon sërish hapjen e negociatave.
Por Kryeministri i Holandës vazhdon t’i qëndrojë vendimit të parlamentit të vendit të tij për Shqpërinë. Në Berlin, përkrah kancelares Merkel, Rutte bëri dallimin me RMV, për të cilën parlamenti i vendit të tij ka dhënë dritën jeshile.
Parimi i vendimmarrjes në KE është unanimiteti, për pasojë vetoja, qoftë edhe e njërit nga 28 vendet anëtare është vendimtare. Lulzim Basha sheh si përgjegjës Kryeministrin.
Dy kampet politike duken krejt të ndarë në qëndrimet e tyre, pasi njëlloj si Rama, edhe Lulzim Basha publikisht i ka unanimë të vetët, edhe aleatët të cilët i takon më shpesh për të konfirmuar se janë në një mendje.
Denoncimi mbetet shtylla e vetme e aksionit opozitar. Javën politike që lamë pas, i dha zë lajmit se në një gjykatë në SHBA kishte dënuar me 4 muaj burg shtetasin William Argeros, nën akuzën se kishte mundësuar kalimin e 80 mijë dollarëve nga një burim jo amerikan tek shtetasi amerikan Bilal Shehu, për sigurimin e një fotoje me presidentin e kohës Barak Obama gjatë një eventi elektoral për mbledhje fondesh. Avokati kishte deklaruar në gjyq se klienti i tij po vepronte në emër të Edi Ramës, në kohën e fotos, kandidat për KM. Por sipas ligjit amerikan shtetasit e huaj nuk lejohen të japin kontribute financiare për kandidatët federalë. Në Tiranë PD i kërkoi prokurorisë hetimin e Kryeministrit Rama, për burimin e 80 mijë dollarëve, që sipas saj siguroi atë foto të vitit 2012 më Barak Obamën. Edi Rama mohoi përgjegjësinë të enjten në studion e Sokol Ballës, duke kujtuar hetimin ndaj Bashës për paratë e përdorura prej tij për lobim në SHBA
Çështja e hapur mes mazhorancës me presidentin Meta u aktivizua në publik pas publikimit të një draft-opinioni të Komisionit të Venecias, i kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë për të ndihmuar vendimmarrjen e komisionit të posacëm parlamentar, i ngritur për shkarkimin e presidentit, pasi socialistët propozues e konsiderojnë shkelje të rëndë kushtetuese shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Në draft opinion thuhet se Presidenti ka tejkaluar kompetencat me shtyrjen e datës së zgjedhjeve, por akti nuk mund të konsiderohet shkelje e rëndë.
Por Ilir Meta reagoi fort ndaj Venecias, duke i kërkuar që të rishikonin draft opinionin para se ta miratonin, pasi në gjykimin e kreut të shtetit, drafti ishte kontradiktor, jo racional, i pabalancuar e i paplotë. Meta i drejton 10 pyetje të tjera Komisionit të Venecias, ndër të cilat spikasin ajo se cili është organi që dekreton zgjedhjet, e cili është organi që gjykon dekretet e Presidentit. Ndërsa arsyet e anullimit të zgjedhjeve i përsëriti edhe njëherë për Blendi Fevziun
Nëse në Shqipëri nuk ka një përpjekje serioze që aktorët politikë të bëhen bashkë për tejkalimin e krizës 7 mujore, në Bruksel pro Shqipërisë u bënë bashkë përmes një letre publike, zyrtarët në largim e ata të ardhshëm, Presidenti në largim i Këshillit Europian Donald Tusk, presidenti actual i PE David Sassoli, Presidenti në largim i Komisionit Europian Jean Claude Juncker dhe pasardhësja e tij që merr detyrën më 1 Nëntor Ursula fon Der Leyen.
Që ndarja mbetet e fortë në BE, po aq sa përpjekjet për ta kapërcyer atë, këtë e dëshmojnë edhe dy draft dokumente të ministrave të jashtëm të BE, që agjensia mediatike Bloomberg thotë se i ka parë, me qëndrime të kundërta, mbi vendimin që do i sugjerohet Këshillit Europian për Shqipërinë e Maqedoninë e veriut. Drafti më i fundit sipas Bloomberg është pozitiv.
Edhe javën politike që lamë pas, palët u fokusuan tek debati i brendshëm, pa një akt apo alternative për t’i dhënë fund krizës politike mbi 7 mujore. Km vijon të mbështetet i sigurtë tek numrat në kuvend, ndërsa Basha nuk po shkon përtej paralajmërimeve e ultimatumeve verbale. Janë dy momente në javët e ardhshme që do prekin të gjitha palët e do reflektohen në klimën politike në vend. Më 11 Tetor Komisioni i Venecias publikon opinionin mbi aktin e anullimit të 30 qershorit nga presidenti Meta, ndërsa një javë më vonë më 17 e 18 Tetor Këshilli Europian do vendosë nëse do hapë ose jo negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. /ABC News Albania 24/7