Senatori demokrat amerikan, Robert Menendez dhe gruaja e tij po përballen me tre akuza federale për korrupsion, ryshfet, komplot për të kryer zhvatje. Senatori dhe bashkëshortja e tij akuzohen se kanë marrë para, shufra ari, një makinë luksoze dhe para për shlyerjen e një kredie hipotekore nga tre biznesmenë egjiptianë, në këmbim të shërbimeve që synonin pasurimin e biznesmenëve.
Autoritetet tashmë i kanë “ngrirë” pasuritë, të cilat i konsiderojnë si të ardhura të ryshfetit. Të pandehurit do të dalin para gjykatës më 27 shtator. Deri në përfundimin e gjyqit, Menendez nuk do të jetë në gjendje të jetë president i Komitetit të fuqishëm të Senatit për Çështjet Ndërkombëtare. Kjo është hera e dytë që senatori amerikan akuzohet për ryshfet. Ai u shpall i pafajshëm në vitin 2015.
Megjithatë, senatori ka hedhur poshtë akuzat dhe pretendon se është i pafajshëm. Ai tha se “për vite të tëra, forcat e prapaskenave janë përpjekur vazhdimisht të heshtin zërin tim dhe të gërmojnë varrin tim politik. Ka një vit që po vazhdon një fushatë shpifjeje kundër meje. Ata që qëndrojnë pas kësaj fushate thjesht nuk mund të pranojnë që një latin i gjeneratës së parë me origjinë modeste mund të bëhet senator dhe t’i shërbejë vendit me integritet. Më keq, ata më shohin si pengesë për qëllimet e tyre më të mëdha politike. Unë jam akuzuar më parë. Unë kam qëndruar i vendosur kundër diktatorëve nga e gjithë bota, në Iran, Kubë, Turqi dhe gjetkë. Unë mbetem i përkushtuar për të vazhduar këtë punë të rëndësishme. U bëj thirrje miqve dhe mbështetësve të mi dhe komunitetit që na mbështet në përgjithësi të zgjohen. Kujtojmë që prokurorët kanë gabuar edhe herët e tjera. Jam i bindur se kjo çështje do të zgjidhet me sukses”./abcnews.al