Negociatat / Holanda përforcon qëndrimin: Shqipëria nuk është gati

schedule16:56 - 4 Tetor, 2019

schedule 16:56 - 4 Tetor, 2019

Shefi i diplomacisë holandeze ka përsëritur qëndrimin tashmë të njohur se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave. Duke folur pas një mbledhjeje qeverie, Stef Blok ka ritheksuar se Shqipëria duhet të bëjë progres të dukshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, ndryshe nga Maqedonia e Veriut që sipas tij ka arritur rezultate të mëdha.

Ministri i Jashtêm hollandez, Stef Blok e thotë shkoqur:

“Shqipëria nuk është gati pêr hapjen e negociatave të anëtarêsimit në Bashkimin Europian”.

Këtë deklaratë ministri Blok e ka bërë për mediat hollandeze pas mbledhjes së Kêshillit të ministrave.

“Shqipëria ende duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, veçanërisht në trajtimin e korrupsionit dhe përmirësimin e sundimit të ligjit”, është shprehur Blok.

Ndërkohë, për Maqedoninë e Veriut, rruga duket e qartë për të filluar negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë hapa të mëdha përpara. Përparimi në sundimin e ligjit duhet të vazhdojë, kështu që ne shohim hapësirë atje”, është shprehur ministri Blok.

Ministri mbështet mocionin e Parlamentit të Hollandës, të aprovuar në qershor të 2019 kundër hapjes së negociatave të anëtarêsimit me Shqipërinë nga një shumicë prej 105 deputetësh në favor dhe 45 kundër.

Deklarata e ministrit Blok vjen pas letrës së përbashkët tê 3 tetorit 2019 të presidentit të këshillit Europian, Donald Tusk, të Parlamentit Evropian, Davide Sassoli dhe të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker ku kërkohej hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian pritet të marrin një vendim në 15 tetor lidhur me këtë.

Nëse ata nuk gjejnë konsensus, çështja  kalon te kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Europian në samitin e 18 tetorit në Bruksel./ABC News Albania 24/7