Qeveria italiane miratoi një numër ligjesh që mundësojnë ndërtimin e qendrave të reja të mbajtjes së migrantëve dhe deportimin e shpejtë të azilkërkuesve, të cilëve u refuzohet kërkesa për azil. Italia po përballet me një valë migrantësh në brigjet e ishullit Lampedusa. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Londra, Henry Ridgwell, mbi 2,000 migrantë kanë vdekur në përpjekje për të arritur në Evropë nga Afrika Veriore gjatë këtij viti, sipas Kombeve të Bashkuara.
Javën e kaluar, rreth 10 mijë migrantë zbarkuan në ishullin e vogël italian Lampedusa. Shumica kaluan Mesdheun me anije të vogla nga Tunizia.
“Po flemë nën qiell të hapur, në diell, në të ftohtë, nuk kemi ushqim… dhe këtu ka fëmijë”, thotë Claudine Nsoe, migrante nga Kameruni.
Presidentja e Komisionit Evropian dhe kryeministrja e Italisë vizituan Lampedusën të dielën dhe premtuan masa të rrepta.
“Ne do ta vendosim se kush vjen në Bashkimin Evropian dhe me çfarë kushtesh, jo trafikantët dhe kontrabandistët,” deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Zonja Von der Leyen shpalosi një plan 10 pikësh – që përfshin një rol më të madh për Frontex-in, agjencinë e BE-së për ruajtjen e kufijve, në identifikimin dhe riatdhesimin e migrantëve, që nuk kualifikohen për azil.
“Kur bëhet fjalë për probleme thelbësore që duhet t’i zgjidhë komisioni ose Bashkimi Evropian në këtë drejtim, nuk po bëhet asgjë e re”, thotë zonja Camino Mortera-Martinez e Qendrës për Reformë Evropiane për Zërin e Amerikës.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni premtoi ngritjen e më shumë qendrave për mbajtjen e migrantëve dhe tha se vala e migrantëve duhet të ndalet tek vendi i origjinës.
“Me një mision evropian, me njësi detare, nëse ka nevojë, dhe në bashkëpunim me autoritetet e Afrikës së Veriut për të ndalur nisjen e barkave. Duhet të vlerësohet në Afrikë se kush ka arsye për azil dhe kush jo, dhe të pranohen në Evropë vetëm ata që e kanë këtë të drejtë, sipas konventave ndërkombëtare,” tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Bashkimi Evropian nënshkroi të ashtuquajturin “partneritet strategjik” me Tunizinë në korrik, në vlerë prej 1.1 milardë dollarësh, për të goditur trafikantët dhe për të shtrënguar kontrollet kufitare.
Grupet për mbrojtje të të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësim për trajtimin që Tunizia u bën refugjatëve – dhe thonë se përgjigjia e Evropës duhet të jetë më njerëzore.
“(Migrantët) nuk mund t’i ndalosh duke ndërtuar mure, nuk mund t’i ndalosh duke mbyllur kufijtë apo duke vënë pengesa detare. Mikpritja është përgjigja më e mirë që mund t’u ofrosh”, thotë zoti Andrea Costa nga Organizata për Përkrahjen e Migrantëve “Baobab Experience.”
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian po hasin vështirësi për të arritur një marrëveshje të re rreth migrimit. Disa nga vendet e Evropës lindore po refuzojnë miratimin e kuotave për refugjatë – për të ndarë barrën me shtetet e vijës së parë, siç është Italia.
“Nëse nuk biem dakord, do ta dëmtojmë vetë projektin tonë dhe një gjë e tillë, sipas mendimit tim, do të bëhet më e dukshme pas zgjedhjeve të vitit 2024”, thotë zonja Mortera-Martinez.
Zgjedhjet e Parlamentit Evropian mbahen në qershor. Analistët vlerësojnë se partitë populliste të krahut të djathtë do të përpiqen të kapitalizojnë pakënaqësinë e votuesve me mënyrën se si Evropa është përballur me çështjen e migrimit./VOA