Policia shqiptare dhe ajo e Malit të Zi nuk ka faktuar ende ku është ngarkuar kamioni me kanabis që u sekuestrua të shtunën në pikën kufitare të Bozhajt.
Mediat malazeze shkruajnë duke iu referuar burimeve të grupit hetimor, se sasi e drogës është ngarkuar në territorin shqiptar. Sipas tyre, brenda kamionit me lëndë drusore ku u arrestuan babë e bir, Ilirian dhe Kristian Orhan u zbuluan të fshehura 185 pako me kanabis që kishin një peshë totale prej 497 kg. Ndërsa policia shqiptare në një njoftim për mediat deklaroi se bëhej fjalë për 300 kg kanabis.
Burime nga grupi hetimor konfirmojnë për ABC neës se kamioni që drejtohej nga 24 vjeçari Kristian Orhan para se të nisej drejt vendit fqinj është skanuar në Durrës dhe ka dalë i pastër.
Një nga pistat që policia po hetoj është ajo që kamioni të ketë qenë i mbushur me lëndë narkotike dhe mund të jetë lejuar nga doganierët për të kaluar. Ndërsa pista e dytë që po verifikohet është ajo që droga të jetë futur në kamion pas kontrollit të skanerit në Durrës.
Për të faktuar dyshimet e grupit hetimor nëse droga është ngarkuar Durrës ose në Tiranë janë kryer një sërë verifikimesh për ineterarin që kamioni ka ndjekur drejt veriut të vendit. Në hetime pritet të marrë pjesë edhe Agjensia e Mbikqyrjes Policore për të zbuluar nëse lënda narkotike ka kaluar pa u vënë re nga punonjësit dhe efektivët e policisë në Portin e Durrësit.
Ilirjan dhe Kristi Orhani rezultojnë të punësuar në kompaninë që ka në pronësi kamionin, e regjistruar për import-eksport të frutave ekzotike. Pronari i firmës është Ariel Damo. Ai është marrë në pyetje nga agjentët e Shkodrës dhe ka mohuar që të jetë i përfshirë apo të ketë dijeni në trafikun e ngarkesës me kanabis.
Mësohet se kamioni tip Renault me paleta dërrase kishte si destinacion Austrinë./abcnews.al