Një zyrtar i lartë ushtarak i NATO-s paralajmëroi të shtunën se një rritje drastike e çmimeve të municioneve do të thotë se shpenzimet më të larta të mbrojtjes së aleatëve nuk përkthehen automatikisht në siguri më të madhe, ndërsa bëri thirrje për një qasje të re mbi bashkëpunimin për mbrojtjen.
“Çmimet për pajisjet dhe municionet po rriten. Aktualisht, po paguajmë gjithnjë e më shumë për të njëjtat pajisje”, tha të shtunën admirali holandez Rob Bauer, kryetar i komisionit ushtarak të NATO-s, pas një takimi në Oslo të shefave të mbrojtjes të aleancës. “Kjo do të thotë se ne nuk mund të sigurohemi që rritja e shpenzimeve të mbrojtjes do të sjellë në të vërtetë në më shumë siguri”.
Ai bëri thirrje për një qasje të re lidhur me bashkëpunimin publiko-privat në sektorin e mbrojtjes për të rritur kapacitetin e prodhimit.
“Stabiliteti afatgjatë duhet të mbizotërojë mbi fitimet afatshkurtra. Siç e kemi parë në Ukrainë, lufta ndikon për mbarë shoqërinë. Prandaj, parandalimi i luftës nëpërmjet përshtatshmërisë dhe parandalimit duhet të jetë gjithashtu një përpjekje për mbarë shoqërinë”.
NATO-ja ka bërë thirje për rritjen e prodhimit të mbrojtjes për të plotësuar kërkesat për armë dhe pajisje, gjë që është rritur pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën, pasi aleatët jo vetëm që po furnizojnë Kievin, por gjithashtu po plotësojnë nevojat e veta.
Një shqetësim i madh ka qenë mungesa e predhave të artilerisë të tipit 155 milimetra, ndërsa Kievi është i detyruar të përdorë deri në 10,000 predha në ditë.
Në shkurt, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi se Kievi po harxhonte predha më shpejt sesa mund t’i prodhonte Perëndimi. Që nga ajo kohë, NATO-ja i ka rritur objektivat për rezervat e municioneve që duhet të mbajnë aleatët.
Madje, edhe para agresionit të Kremlinit mbi Kievin më 24 shkurt të vitit të kaluar, shumë vende të NATO-s nuk arritën të përmbushnin objektivat e aleancës për rezervat.
Që atëherë, ritmi i dërgesave në Ukrainë ka zbrazur rezervat e shteteve perëndimore dhe ka ekspozuar të çara në efikasitetin, shpejtësinë dhe fuqinë punëtore në zinxhirët e furnizimit./VOA