Tekniku i Vllaznisë, Migen Memelli doli para mediave pas barazimit pa gola ndaj Partizanit.
“Loja nuk na shkoi ashtu siç duhej. Duhet të bënim më shumë. Pjesën e dytë futëm Smajlin, megjithëse ka vetëm 48 orë që ka ardhur nga Kombëtarja. Kur luan me një skuadër kompakte që mbrohet mirë, është e vështirë. U munduam nga krahët, për të përfituar edhe nga shtatlartësia. Një ndeshje e balancuar. Mund të kishim shënuar, por edhe mund ta kishim pësuar. Mendoj se rezultati është i drejtë.
Gjithmonë kemi vështirësi në 1/3 e fushës së kundërshtarit, kur na mbyllen mbrapa. U mbrojtën me 8 lojtarë. Vetëm dy qendrat tona ishin të lira. Djemtë duhen falënderuar, sepse bënë gjithçka për të marrë 3 pikët, por ky është futbolli.
Nëse Partizani do luante me 11 lojtarë, loja do të ishte më e hapur. Duhet të kishim bërë më mirë. Kur një skuadër luan me një lojtar më tepër, vihet në presionin e rezultatit. E vuajtëm këtë. Bëmë gabime, për shkak të presionit që ishin lojtarët”, tha ai./ h.ll/abcnews.al