Mbërritjet e emigrantëve të jashtëligjshëm në BE nëpërmjet Mesdheut u dyfishuan në vitin 2023

schedule20:21 - 14 Shtator, 2023

schedule 20:21 - 14 Shtator, 2023

Mbërritjet e emigrantëve në Itali nga Afrika e Veriut nëpërmjet Mesdheut arritën në rreth 114,300 nga janari në gusht të këtij viti, pothuajse dy herë më shumë se në periudhën korresponduese të vitit 2022, sipas shifrave të shpallura sot nga Frontex.

Tunizia dhe Libia janë pikat kryesore të nisjes për mijëra emigrantë që kalojnë Mesdheun qendror për në Evropë dhe mbërrijnë në Itali. Kjo rrugë shumë e rrezikshme migrimi ka llogaritur “gjysmën e të gjitha mbërritjeve të parregullta në BE deri më tani këtë vit,” vuri në dukje Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare.

Emigrantët që vijnë në BE nga Mesdheu qendror vijnë kryesisht nga Bregu i Fildishtë, Egjipti dhe Guinea.

“Rritja e presioneve migratore në këtë rrugë mund të vazhdojë në muajt e ardhshëm pasi trafikantët ulin çmimet për migrantët që largohen nga Libia dhe Tunizia për shkak të konkurrencës së ashpër midis organizatave kriminale”, shpjegoi Frontex në deklaratën e saj.

Më shumë se 2,000 njerëz janë vrarë ose janë zhdukur që nga fillimi i vitit pasi tentuan kalimin, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Qeveria italiane tha sot se rreth 126,000 njerëz kanë mbërritur në brigjet e Italisë që nga fillimi i vitit, nga 66,000 vitin e kaluar. Ishulli italian Lampedusa, i cili ndodhet vetëm 150 kilometra larg brigjeve të Tunizisë, është përballur ditët e fundit me një valë migrantësh: sipas të dhënave të autoriteteve italiane, kanë mbërritur më shumë se 7000 persona.