Stuhia Daniel krijon ‘liqene’ në Sahara

schedule22:38 - 13 Shtator, 2023

schedule 22:38 - 13 Shtator, 2023

Pas përmbytjeve katastrofike në Greqi, moti i keq Daniel goditi me ashpërsi të madhe Afrikën e Veriut dhe veçanërisht Libinë, ku deri më tani mbi 5000 persona kanë humbur jetën.

Imazhet nga sateliti Sentinel II i Programit Evropian Copernicus zbulojnë të dhëna shqetësuese për sa i përket përmbytjeve.

Imazhi i dyfishtë tregon Libinë Verilindore, para dhe pas kalimit të motit të keq Daniel. Siç shihet, në zonat e përmbytura janë formuar sipërfaqe ujore të ngjashme me “liqenet”, në zemër të Saharasë.

Vihet re se tashmë janë numëruar mbi 5300 të vdekur, ndërkohë që parashikimet flasin për 20 mijë.

Në të njëjtën kohë, mijëra të plagosur, të paktën 30,000 banorë të qytetit Derna janë zhvendosur, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, ndërsa 10 mijë persona janë shpallur të zhdukur nga autoritetet zyrtare.