Basha i përgjigjet Ramës: Nuk e bën dot reformën zgjedhore pa opozitën

schedule15:03 - 3 Tetor, 2019

schedule 15:03 - 3 Tetor, 2019

Shprehjen e tij “Rama ik” që më pas u kthye edhe në refrenin e protestave të opozitës, Lulzim Basha e ka zëvendësuar me një thirrje të re. Prano kërkesat e opozitës për zgjidhjen e krizës ose hap krahun. Pasi kishte ndjekur deklaratat e Ramës pak metra larg selisë së PD në Parlament, kreu i opozitës ia bëri të qartë kryeministrit se nuk e miraton dot i vetëm reformën zgjedhore.

“Flasin vetë kushtet e Bundestagut. A ju tha vjet që u hapën negociatat. Mos të bëhemi dhe ne pjesë e mashtrimit. Si do ta bëjë ai reformën zgjedhore pa opozitën? E ke në kushtet e Bundestagut. Merreni dhe lexojeni. Keni edhe përkthimin zyrtar të institucioneve dhe autoriteteve gjermane që e thotë fare qartë. Plani është mbi tavolinë ta marrë ta zbatojë, jo për hirin tim apo të PD, por për hir të Shqiptarëve. Ta zbatojë ose të hapë krahun. Nuk është për Ramën, nuk është për Bashën, kjo është një betejë për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza”, tha Basha.

Kushtet e shprehura në rezolutën e Bundestagut gjerman për Bashën janë udhërrëfyes për zgjidhjen e krizës, ndaj apelon që t’i jepet fund lojërave politike. Paralajmëron një përgjigje negative për negociatat dhe gishtin e drejton te vetëm një person, kryeministri i vendit.

“9 kushtet dhe kërkesat e Bundestagut përbëjnë shprehjen më koncize të një udhërrëfyesi për daljen nga kjo krizë”.

Është i bindur se atë që nuk bëri dot në dy mandate qeverisëse, Edi Rama nuk mund ta bëj dot brenda një kohe të shkurtër ndaj edhe i drejtohet socialistëve me një apel që sipas Bashës do të jetë i fundit i ardhur nga opozita.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë propozuar një platformë me 5 pika për reformën zgjedhore, ku çështja kryesore lidhet me krijimin e një strukture esktraparlamentare me prezencë ndërkombëtare për të të udhëhequr ndryshimet në Kodin Zgjedhor. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!