Mediat greke publikojnë detaje të reja nga sekuestrimi i 2.5 tonë drogë nga Shqipëria

schedule12:20 - 3 Tetor, 2019

schedule 12:20 - 3 Tetor, 2019

Mediat greke publikojnë detaje të reja për sekuestrimin e 2.5 tonë drogë të llojit marijuanë nga Shqipëria. Sipas raportimeve të tyre, trafikantët ndiqnin lajmet për të ndryshuar itinerarin ndërsa droga fshihej nëpër shpella dhe shkëmbinj.

Droga e llojit marijuanë transportohej me tonelata vetëm nëse moti ishte me rrufe apo me erëra të forta. Trafikantët madje ndiqnin lajmet për të ndryshuar itinerarin e tyre nëse do të ishte e nevojshme.

Janë këto disa nga detajet e publikuara nga mediat greke për sekuestrimin e 2.5 tonë marijuanë që vinte nga Shqipëria për në Greqi. Droga transportohej me skafe të modifikuar në mënyrë që shpejtësia të ishte e lartë dhe fshihej në shpella dhe shkëmbinj, ndërsa në Turqi shkëmbehej me heroinë.

Dy skafet transportonin 2.5 tonë marijuanë nga Vlora për në Turqi ku do të shkëmbehej me 150 kilogramë heroinë. Ky ishte informacioni i mbërritur tek policia greke që më pas u kalua tek rojet bregdetare, të cilët filluan menjëherë kërkimet në det.

Arsyeja e këtij shkëmbimi është rritja e kërkesës për marijuanë në Turqi, ku një kilogram kushton deri në 4 mijë euro, ndërsa në Greqi kushton një mijë euro. Ndërsa heroina do të shitej në Greqi dhe në Europë ku dhe është më e shtrenjtë.

Në 25 Shtator të këtij viti, skafi i parë u identifikua dhe policia vuri në pranga tre shtetas shqiptarë. Skafi e kishte lënë marijuanën në brigjet turke dhe po kthehej me heroinën, e cila ishte hedhur në det gjatë ndjekjes nga policia.

Operacioni i policisë, dhe pse duhej të mbahej sekret, u dëshmua dhe me një video, duke vështirësuar lokalizimin e skafit të dytë, që ndodhi aksidentalisht. Në 29 Shtator pra katër ditë më vonë, skafi u gjet i ndaluar në breg.

35-vjeçari shqiptar u tha agjentëve të policisë se ishte emigrant i paligjshëm, por ata nuk e besuan. Nga hetimet rezultoi se ai ishte pikërisht skafi i dytë, dhe të nesërmen në një shpellë aty pranë u gjetën 1 ton dhe 127 kilogramë marijuanë e paketuar.

Skafet ishin të pajisura me sisteme të tilla për të mos u gjurmuar dhe kishin një furnizimi që i lejonte të udhëtonin deri në 6 ditë në det. Trafikantët zgjidhnin pikërisht ditë me mot të keq për të lëvizur dhe për këtë arsye udhëtimi i tyre nisi në 24 Shtator.

Ata komunikonin online me njëri tjetrin dhe monitoronin agjencitë e lajmeve për të përmirësuar itinerarin e tyre. Dhe pasi u sinjalizuan nga policia ata nuk ndaluan por kërkonin ishuj të vegjël ku të mund të fshiheshin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!