Ukraina sulmon me raketa Krimenë, 24 të plagosur

schedule08:42 - 13 Shtator, 2023

schedule 08:42 - 13 Shtator, 2023

Ukraina ka sulmuar  flotën ruse në Detin e Zi duke lëshuar 10 raketa dhe 3 dronë detarë në gadishullin e aneksuar në vitin 2014-n, sipas Moskës. Sulmi shkaktoi një zjarr të madh pranë portit të Sevastopolit, ku mbetën të plagosur të paktën 24 persona.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 7 prej raketave dhe të tre dronët ishin shkatërruar, por raketa kruz kishin goditur dhe dëmtuar dy anije. Imazhe të postuara në Telegram tregojnë disa shpërthime, në atë që besohet të jetë një zonë ku riparohen anijet.

 

 

Fakti që disa prej raketave arritën të depërtonin përtej sistemeve mbrojtëse të Rusisë, duke shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme, do të jetë një shqetësim real për Kremlinin. Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë nga Ukraina në vitin 2014 dhe ky sulm është një tregues i betejës së vazhdueshme për kontrollin e ujërave.

Kievi ka pohuar vazhdimisht se qëllimi i tij përfundimtar është të rimarrë gadishullin. Ukraina e ka shënjestruar edhe më parë Sevastopolin dhe flotën ruse në Detin e Zi, por kjo duket të jetë vala më e bashkërenduar e sulmeve deri më tani.

Pyetje mbeten mbi armatimet që u përdorën në këtë sulm. Sugjerimet orientojnë drejt raketave me rreze të gjatë të siguruara nga perëndimi, por nuk përjashtohen edhe raketat Neptun të prodhuara në Ukrainë.

Edhe Ukraina pati një natë të vështirë pasi dronët rusë dëmtuan portin e Izmain në lumin Danub. Gjashtë persona thuhet të jenë plagosur si pasojë e sulmit që shkaktoi një zjarr dhe dëmtoi infrastrukturën.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!