Ekzekutimi i 41-vjeçarit në Vlorë, pistat ku po përqëndron hetimet policia

schedule10:19 - 10 Shtator, 2023

schedule 10:19 - 10 Shtator, 2023

Disa janë pistat ku Policia e Vlorës ka përqëndruar hetimet në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qytetin bregdetar, ku u ekzekutua 41-vjeçari Leartiad Keka (Lekaj).

Gazetari i ABC News, Elton Nika raporton se pista kryesore ka të bëjë me dënimin e tij me 10 vite burg në 2002, pasi u dënua për vrasje në bashkëpunim për shkak të grabitjes.

Por nuk përjashtohen pista të tjera, ku 41-vjeçari mund të ketë pasur ndonjë konflikt kohët e fundit.

“Detajet e fundit, kemi të bëjmë me 8 persona të shoqëruar deri në këto momente nga Policia e Vlorës, ndërkohë që janë gjetur në vendin e ngjarjes 28 gëzhoja. Nga ajo çfarë kemi mësuar, personat që janë shoqëruar, janë pyetur mbi rrethanat e ngjarjes, mbi atë se çfarë mund të kishin parë apo edhe ndonjë informacion tjetër shtesë që mund të ndihmojë Policinë e Vlorës për identifikimin e autorëve. Hetimet paraprake janë duke u përqëndruar te ngjarjet e vjetra, ku dihet që 41-vjeçari ka kryer 10 vite burg, ka qenë i dënuar për një vrasje në bashkëpunim për shkak të një grabitje, kryer në vitin 2002.

Janë duke hetuar nëse ka pasur edhe problematika të tjera gjatë kohëve të fundit, ndonjë grindje të mundshme apo probleme të tjera të këtij lloji. Megjithatë, hetimet kryesore janë përqëndruara në ngjarjet e vjetra të 41-vjeçarit”, raportoi gazetari Nika.

41-vjeçari, Leartiad Keka (Lekaj) u ekzekutua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa viktima ishte duke lëvizur me motor.

Pas të shtënave të para, 41-vjeçari u rrëzua dhe tentoi të arratisej, por autori e qëlloi serish duke e lënë të vdekur në vend.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!