Lehtësohen kontrollet në kufi/ Shqipëri-Kosovë, hyn në fuqi marrëveshja për produktet joshtazore

schedule14:26 - 6 Shtator, 2023

schedule 14:26 - 6 Shtator, 2023

Bizneset shqiptare dhe ato kosovare do të kenë më pak kontrolle në pikat kufitare. Kjo pasi ka hyrë në fuqi vendimi i cili synon lehtësimin e procedurave në pikat e inspektimit kufitar, për produktet me origjinë joshtazore.

Ky vendim u mor për të promovuar tregtinë midis dy vendeve heqjen e barrierave, lehtësimin e procedurave të kontrollit si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e bujqësisë. Në marrëveshje parashikohet që kontrolli në import, tranzit dhe eksport të produkteve ushqimore me origjinë joshtazore, mund të kryhet në Pikën e Inspektimit Kufitar ose në doganën më të afërt të vendit të destinacionit, sipas kërkesës së subjektit.

Ndërsa autoritetet përgjegjëse për sigurinë ushqimore të secilës palë do të lejojnë importin dhe eksportin, shoqëruar me certifikata të njohura ose raport-analiza apo dokument tjetër të përshtatshëm, të lëshuar sipas legjislacionit të secilës palë, që garanton sigurinë ushqimore. Po ashtu edhe kontrollet ndaj subjekteve parashikohen të jenë të kordinuara dhe secila palë do të njoftojnë njëra-tjetrën për planet e kontrollit me bazë risku dhe aktet rregullatore që miratohen në fushën e sigurisë ushqimore.

Pavarësisht masave të ndërmara mardhëniet trergtare midis Kosovës dhe Shqipërisë mbeten në nivele modeste. Nga të dhënat e Instat vërehet se mbizotërojnë eksportet shqiptare të cilat në 7 mujat e këtij viti kanë prekur shifrën 23.7 miliardë lekë duke pësuar një rritje me 1.7 miliradë krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë importet mbeten minimale. Gjatë periudhës janar-korrik vlera e importeve ëshët vetëm 6.3 miliardë lekë. Kohëzgjatja e kësaj marrëveshjeje parashikohet 5 vjet, që nga momenti i nënshkrimit të saj./abcnews.al