U futën në sëndukun ku mbanin lodrat dhe i zuri gjumi, vdesin binjakët 4-vjeçarë

schedule11:01 - 6 Shtator, 2023

schedule 11:01 - 6 Shtator, 2023

Një motër dhe një vëlla binjak 4-vjeçarë kanë vdekur në mënyrë tragjike në Florida, pasi i zuri gjumi të përqafuar në një sënduk të madh prej druri, ku prindërit fusnin lodrat e tyre.

Vdekjen e fëmijëve e ka konfirmuar nëna e tyre me një postim në rrjetet sociale, ku shprehet e shqetësuar për ngjarjen absurde dhe përshkruan rrethanat në të cilat ka ndodhur tragjedia.

Sadie Myers ishte në punë të premten mbrëma kur burri i saj, Don Starr, i vuri në shtrat binjakët Aurora dhe Kellan dhe dy vëllezërit e tyre më të mëdhenj. Starr punonte gjatë ditës dhe Myers punonte natën në mënyrë që të mund të mbulonte shpenzimet e mëdha.

Gjithmonë një nga dy prindërit gjendeshin në shtëpi për t’u kujdesur për katër fëmijët e tyre. Gjatë natës, binjakët 4-vjeçarë u zgjuan dhe vendosën të luanin me lodrat e tyre, gjë që e kishin bërë muajt e fundit.

Siç shpjegon nëna e tyre në postimin e saj, disa mëngjese ajo i gjente binjakët duke fjetur në pjesë të ndryshme të çuditshme të shtëpisë, me kukullat e tyre të shpërndara rreth tyre.

“Të premten mbrëma, vendi i çuditshëm që ata zgjodhën për të rënë në gjumë ishte sënduku prej druri që ne përdorim për të ruajtur lodrat e tyre”, shkruan Myers.

Binjakët hoqën thuajse të gjitha kukullat nga sënduku, duke lënë vetëm disa në fund të ishin më të buta.

Më pas ata u shtrinë dhe i zuri gjumi në krahët e njëri-tjetrit.

“Në një moment gjatë gjumit njëri prej tyre ka lëvizur, ndoshta duke parë një ëndërr, për pasojë kapaku është mbyllur”, shton nëna.

Kur Myers u zgjua në mëngjes ka gjetur krevatet e fëmijëve bosh, ajo menjëherë u panikos.

E gjithë familja filloi të kërkonte dy fëmijët, duke bërtitur emrat e tyre brenda shtëpisë. Më në fund, një nga vëllezërit e tyre më të mëdhenj hapi sëndukun dhe i gjeti brenda.

Në fillim, djali mendoi se binjakët thjesht po flinin dhe thirri mamin i gëzuar. Por kur gruaja pa binjakët, e kuptoi që ato nuk po merrnin më frymë dhe ishte tepër vonë për t’i shpëtuar.

/abcnews.al