Irani merr avionë trajnimi nga Rusia

schedule22:15 - 2 Shtator, 2023

schedule 22:15 - 2 Shtator, 2023

Forcat Ajrore të Iranit kanë marrë disa avionë rusë trajnues për të “përmirësuar aftësitë luftarake dhe trajnimin”, njoftuan sot mediat lokale.

Sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, “një numër avionësh trajnimi Yak-130 ” u dorëzuan në Teheran dhe janë tashmë në bazën ajrore Shahid Babai në Isfahan. Agjencia, duke cituar shërbimin e marrëdhënieve me publikun e ushtrisë, shtoi se dorëzimi i këtyre avionëve është bërë në kuadrin e “kontratave të armëve midis Republikës Islamike dhe Federatës Ruse”.

Rusia dhe Irani janë subjekt i sanksioneve ndërkombëtare që kufizojnë tregtinë. Vitin e kaluar ata nënshkruan një sërë marrëveshjesh në shumë fusha, duke përfshirë bashkëpunimin ushtarak. Në mars, Irani njoftoi se kishte rënë dakord të blinte avionë luftarakë Sukhoi-35 nga Rusia.

Ukraina dhe shumë nga aleatët e saj perëndimorë e akuzojnë Teheranin për armatosjen e Moskës me sisteme armësh të destinuara për luftë kundër Kievit, gjë që Irani e mohon. Në maj, SHBA-të siguruan se të dy vendet po “zgjeronin bashkëpunimin e tyre të mbrojtjes”, ndërsa së fundmi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se që nga gushti 2022, Irani ka dorëzuar më shumë se 400 dronë në Rusi dhe se Teherani po kërkon të blejë helikopterë, radarë dhe avionë rusë Yak-130.

Edhe sot e kësaj dite, Forcat Ajrore iraniane kanë avionë luftarakë rusë të epokës sovjetike MiG dhe Sukhoi, si dhe disa F-4 dhe F-5 kinezë dhe amerikanë që i bleu para Revolucionit Islamik të vitit 1979.