Barcelona-Inter është një nga përballjet më të bukura të së mërkurës në Champions League. Samuel Eto’o ka luajtur e fituar me të dyja skuadrat dhe zemrën e ka të ndarë në dysh.
Në një prononcim për Gazzetta dello Sport, afrikani i njohur u rikthehet kujtimeve dhe zbulon opinionin e tij për Antonio Conten. Eto’o luajti 5 sezone në Katalunjë dhe 2 në Milanon zikaltër, duke fituar gjithçka me të dy klubet.
Në fund një koment edhe për racizmin. 38-vjeçari e ka një ide dhe tregon mënyrën e duhur se si mund të vijë ndryshimi në këtë aspekt.

BARÇA-INTER – “Mallorca ka qenë gjëja më e bukur e karrierës time, ndërsa Barcelona dhe Interi ishin kulmi i ndarë në 50 me 50. Barcelona ishte vitrina që më dha mundësinë për të bërë të ëndërrojnë miliona fëmijë afrikanë që gjithçka është e mundur. Interi e konfirmoi diçka të tillë, ishte hapi pasardhës. Fitova dy tripleta rresht me dy ekipe të ndryshme. Interi konfirmoi edhe faktin që kisha marrë një vendim të mirë, duke mos i dëgjuar njerëzit që më thonin: ‘Nuk duhet të shkosh në Itali. Njerëzit me ngjyrë hasin probleme atje’. Më pak se në vendet e tjera, në të vërtetë…”
CONTE – “Është i përqendruar te fitorja si askush tjetër. Është i rrallë dhe ka shumë pak të tillë si Conte.”
RACIZMI – “Në futboll qarkullojnë shumë para dhe shumica e aktorëve që i gjenerojnë janë djem me ngjyrë. Nëse një ditë, në të gjitha fushat e futbollit, me ndihmën e shokëve të bardhë, vendosin të mos zbresin në fushë, besoj se shumë gjëra do të ndryshonin.” /abcnews.al

