Me një lëvizje të papritur, pas javësh të tëra me protesta, presidenti kinez Xi Jinping ka deklaruar se Kina mëmë do të vazhdojë të respektojë autonominë e Hong Kongut.
Deklarata vjen teksa banorët e qytetit që jeton me parimin “një vend, dy sisteme” po bëhen gati për protestën e radhës.
Presidenti kinez Xi Jinping, në fjalimin e mbajtur në sallën e madhe të popullit me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore Kineze ka premtuar se Pekini do ta respektojë autonominë e Hong Kongut.
“Do të vazhdojmë të aplikojmë plotësisht parimin “një vend, dy sisteme”, duke ruajtur një nivel të lartë autonomie”, ka deklaruar Xi.
Ai ka nënvizuar se qeveria kineze do të veprojë duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet bazë të vendit.
“Hong Kongu, por edhe ishulli i Makaos do të zhvillohen dhe do të ecin përpara bashkë me Kinën mëmë dhe do të kenë një të ardhme edhe më të ndritur”, ka shtuar Xi.
Por ndërkohë, mediat ndërkombëtare raportojnë se rreth 12 mijë trupa kineze ndodhen në Hong Kong, mes të cilëve anëtarë të Policisë Popullore të Armatosur, një forcë paraushtarake që jep llogari direkt tek presidenti Xi.
Lajmi vjen në një kohë kur manifestuesit në Hong Kong po përgatiten për të mbushur rrugët ditën e martë, me moton “pa patur frikë”.
Në një konferencë për shtyp, ku u shfaqen me fytyrën të mbuluar, dy aktivistë u prezantuan si zëdhënës të qytetarëve.
“Nëse do të ketë presion, do të ketë edhe një përgjigje. Ne nuk duam gjakderdhje dhe as njerëz të arrestuar, por nëse policia në reagimin e saj del nga kontrolli, atëherë nuk mund të garantojmë asgjë”, kanë thënë aktivistët./ABC News Albania 24/7