Eksperti për çështjet ekonomike, Selami Xhepa tha në “Sheshi i Dollarit”, se ulja e normës së inflacionit në krahasim me një vit më parë është një zhvillim pozitiv. Megjithatë, ai shtoi se arritja e objektivit të Bankës së Shqipërisë për të ulur nivelin e inflacionit do të kërkojë të paktën edhe një vit kohë.
“Është fakt që nga tetori i vitit të kaluar kur kemi pasur nivelin më të lartë të inflacionit. Kemi një trend të fortë dhe rënës, përgjysmim të dukshëm të normës së inflacionit në krahasim dhe me fillimin e këtij viti. Ky është një zhvillim i rëndësishëm pozitiv për ekonominë. Duket që kemi një frenim të presionit të fortë të rritjes së çmimeve por mendoj që arritja e objektivit ndoshta do të kërkojë të paktën edhe një vit kohë.
Kjo duket me gjasa edhe me ekonomitë e vendeve të BE-së, ku aktualisht kemi një normë inflacioni 5.2 për qind dhe duke qenë se normat objektiv të inflacionit si bankën qendrore tonën dhe atë evropiane janë të njëjta, rreth 2 për qind normë vjetore, mendoj që edhe për ekonominë e Shqipërisë ndoshta viti 2024 ose më shumë por kjo do të varet nga zhvillimet e pritshme që do të kemi në muajt e ardhshëm në veçanti ku bëhet fjalë për kategoritë sensitive si çmimet e energjisë.”, theksoi eksperti.
Ai thotë se ekonomia e vendit nuk është shumë e impaktuar nga zhvillimet në eurozonë. Sipas tij, edhe sektori i ekspertit që është më i prekur nga eurozona, ka treguar që është ndikuar më së shumti nga zhvillimet e brendshme si kursi i këmbimit dhe rënia e euros.
“Sektorët që po udhëheqin rritjen e ekonomisë në vend mbetet sektori i turizmit, mbetet bujqësia që është një sektor i rëndësishëm nga pikëpamja e konsumit të brendshëm, sektori i ndërtimit që gjithashtu është i ndikuar nga kërkesa e brendshme sesa e huaj. Dobësimet e kërkesës në ekonomisë e eurozonës mund të ndikojë në eksportet tona por pavarësisht nga zhvillimet në eurozonë, eksporti është ndikuar më shumë nga faktorë të brendshëm si kursi i këmbimit dhe dobësimi i euros.”/abcnews.al