Milani preku fundin kundër Fiorentinës. Lojë e dobët, rrëmujë mes reparteve dhe probleme të shumta. Katër humbje në gjashtë ndeshje janë shumë dhe atmosfera në kampin e kuqezinjve është e ndjerë.
Paolo Maldini flet troç në prononcimin e dhënë për “Sky Sport”. Drejtori teknik analizon defektet e shumta dhe bën thirrje për kthesë. Giampaolo është një zgjedhje afatgjatë dhe legjenda e Milanit vazhdon të besojë te trajneri. Një si ai nuk heq dorë lehtë nga idetë e tij, por të gjithë duhet të bëjnë autokritikë. Ilaçi më i mirë është puna dhe ndonjë fitore.
SITUATA – “Skuadra zhvilloi një ndeshje me personalitet kundër Torinos dhe më pëlqeu, ndërsa me Fiorentinën luajtëm keq. Ishim dobët individualisht, pa rregull e përgjegjësi, si dhe të paorganizuar. Tifozët janë mësuar me një ecuri tjetër. Ata paguajnë për të parë Milanin dhe janë të justifikuar. Nuk kam asnjë ankesë kundrejt tyre. Marr përgjegjësitë e mia për trajnerin dhe vazhdoj përpara besnik ndaj ideve të mia. Ajo që më acaron më shumë është fakti se skuadra dukej sikur nuk ishte stërvitur asnjë ditë së bashku”
GIAMPAOLO – “Do e mbrojmë gjithmonë trajnerin, sepse është zgjedhja jonë. Duhet kohë dhe e dinim këtë fakt, sepse kemi shumë lojtarë të rinj. Katër humbje në gjashtë ndeshje janë shumë dhe gjithçka zgjidhet me punë. Kishim menduar se do të bënim më mirë, por kualiteti i lojës nuk na kënaq. Lojtarët duhet të bëjnë autokritikë, të gjithë duhet ta bëjmë”, përfundon Paolo Maldini.” /abcnews.al