Trajneri i Partizanit, Franco Lerda, foli pas fitores në derbi për Supersport, ku u shpreh shumë i lumtur për rezultatin e arritur. Në fjalën e tij, tekniku italian tha:
FITORJA – “Ishte triumf i rëndësishëm, sepse synuam të bënim figurë të mirë në derbi, për tifozët, për presidentin. Ia dolëm, djemtë bënë një ndeshje shumë të mirë në të gjitha drejtimet. E nisëm mirë ndeshjen, Broja pati një rast të mirë. Vuajtëm në krahun e djathtë me Malën, por e dubluam dhe shkoi mirë. Më pas gjetëm avantazhin dhe gjithçka ishte më e lehtë”.
ASANI – “Të mos bëjmë polemika ku nuk ka! Asani u zëvendësua se në atë moment kisha nevojë për diçka më shumë në mesfushë. Asani dëshironte ta mbyllte takimin, por janë zgjedhjet e mia”.
FORMACIONI – “Ne luajmë me 11 lojtarë, me qetësi do të vlerësojmë kush luan e kush jo. Nuk mendoj se është problem i Telushit, Romeros, Malës apo Boldor, do të vlerësojmë kush është mirë dhe do të vendosim.
EMOCIONET – “Kam luajtur edhe unë në këtë derbi. Ishte koreografi e bukur. Jam trajner që jetoj me lojtarët dhe këtë e përjetova në mënyrë më të veçantë”, tha Lerda./abcnews.al