Francesco Bagnaia fitoi Çmimin e Madh të Austrisë, duke realizuar dy suksese gjatë fundjavës në Spielberg, pasi më parë kishte triumfuar edhe në Garën Sprint. Prej startit të garës, piloti i Ducatit mori kryesimin, duke thyer rezistencën e Brad Binder me KTM dhe arriti të kontrollonte garën deri në finish.
Praktikisht gara nuk kishte histori dhe në të njëjtën rrugë po shkon edhe lufta për titullin botëror. Me 62 pikë avantazh ndaj Martin, i cili u klasifikua vetëm në vendin e shtatë, Bagnaia fluturon i vetëm në renditjen për pilotë të Moto GP.
Pas Binder në vendin e dytë, podiumi në Austri u kompletua nga Bezzecchi, që realizoi një paraqitje të shkëlqyer me Ducati VR46 të Akademisë së nëntë herë kampionit të botës, Valentino Rossi.
Përveç dominimit të Bagnaia, i cili nuk gaboi asnjë trajektore, Ducati u konfirmua si prodhuesi me i suksesshëm në cirkuitin e Austrisë, me katër motorë të pozicionuar në pesë vendet e para.
Për më tepër, kjo është fitorja e shtatë në tetë vitet e fundit prej rikthimit të kësaj piste në kalendarin e botërorit të Moto GP.
Enea Bastianini arriti të kthehej në Top 10, teksa Marc Marquez vijon të vuajë me Hondan dhe u pozicionua i 12-ti, shumë larg pilotëve më të mirë./ h.ll/abcnews.al