Sandro Tonali, mesfushori i datëlindjes 2000, cilësohet si pasuesi i Andrea Pirlos. Që sezonin e shkuar, kur ai ende luante në Serie B, pati disa oferta për të. Gjithsesi te Brescia ishin të qartë dhe nuk pranuan të shesin asnjë nga lojtarët kryesorë. Tonali është një xhevahir për ta dhe sot vlen 30 milionë euro.
Serie A sapo ka nisur dhe një kampionat i mirë do t’ia rritë edhe më shumë vlerën mesfushorit. Sot ai do të sfidojë Napolin e Carlo Ancelottit. Ky trajner e di mirë sa i rëndësishëm është një “Pirlo” në ekip dhe do të ketë mundësinë ta shohë nga afër mesfushorin.
Mediat në Itali raportojnë se për Tonalin interesohen disa klube të mëdha, si Manchester City e Chelsea. Në Itali normalisht Juventusi dhe Interi e kanë hedhur një sy tek ai, ashtu sikurse edhe Roma. Sezonin e ardhshëm, me shumë mundësi do të jetë pjesë e një tjetër ekipi. /abcnews.al