Meta pas mbërritjes së opinionit të “Venecias”: Luani i artë do jetë në detyrë deri në vitin 2022

schedule13:54 - 28 Shtator, 2019

schedule 13:54 - 28 Shtator, 2019

24 orë pasi Komisioni i Venecias u shpreh në draft-opinionin e saj se Presidenti Meta ka tejkaluar kompetencat që i jep kushtetuta me vendimin e tij për të anuluar dhe më pas duke shtyrë datën e zgjedhjeve vendore, kreu i shtetit ka hequr dorë nga qëndrimi që do të mbante në rast të një konstatimi të tillë.

Përballë gazetarit Çim Peka dy javë më parë, Meta deklaronte se nëse Venecia konstaton shkelje do të dorëhiqej ndërkohë që sot nga Kruja garantoi se do të qëndroi në detyrë deri në fund të mandatit.

“Në qoftë se Venecia thotë që Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën dhe ku e ka shkelur patjetër. Unë kam dhënë dorëheqjen nga kryeministri për një gjë që s’kishte lidhje me mua. Të thotë Komisioni i Venecias që Presidenti ka shkelur Kushtetutën edhe unë të rri President kurrë në botë”, thoshte Meta para disa javësh.

“Si mund t’i trembet “Venecias” luani i artë i Venecias të paktën për këtë vit. Të jeni të sigurt që luani i artë i Venecias të paktën për këë vit do të jetë siç e ka mbajtur premtimin deri në 24 Korrik”, tha Meta këtë të shtunë.

Kreu i Shtetit rikujton se me vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit i ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer kushtetutës dhe pluralizmit politik në vend. Bindjen e tij se zgjedhjet nuk duhen parë vetëm si procedurë por si mundësi zgjedhjeje e përforcon me një koiçidencë që i ndodh kur flet për garantim të rendit demokratik.

Kushtetutën është i sigurt që nuk e ka shkelur ndaj edhe nuk është i shqetësuar. Pret që të marrë në dorë versionin zyrtar dhe më pas të dalë me një qëndrim publik. Në vend të vijimit të procedurës për shkarkimin e tij, sugjeron për mazhorancën të merret me plotësimin e kushteve për çeljen e negociatave si e vetmja datë që ka rëndësi për shqiptarët./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!