Napoli, humbja me Cagliarin, titulli dhe rivalët: rrëfehet Llorente

schedule19:15 - 27 Shtator, 2019

schedule 19:15 - 27 Shtator, 2019

Humbja shtëpiake përballë Cagliarit ka sjellë mërzitje të madhe në kampin napolitan. Djemtë e Ancelottit ishin të pafat dhe u ndëshkuan në të vetmin rast të ekipit sard.

Fernando Llorente nuk e fsheh zhgënjimin e pësuar, por duhet vazhduar përpara. Sulmuesi spanjoll komenton humbjen e fundit dhe analizon duelin e së dielës kundër Brescias.

34-vjeçari flet edhe për aventurën e re te Napoli. Nisja ka qenë pozitive dhe deri tani ka shënuar dy gola. Llorente tregohet modest dhe është gjithmonë gati për të ndihmuar Napolin me eksperiencën dhe golat e tij.

DISFATA – “Humbja me Cagliarin na tërboi dhe ishte e rëndë për t’u pranuar. Zhvilluam një ndeshje të mirë dhe patëm shumë raste. Duhet të mësojmë nga kjo humbje dhe le të fokusohemi te Brescia. Këto lloj ndeshjesh nuk duhet t’i diskutojmë nëse duam të fitojmë titullin kampion.”

NAPOLI – “Kam ardhur te Napoli me një dëshirë të madhe për të dhënë maksimumin dhe për të ndihmuar ekipin. Kam fituar dhe luaj prej vitesh, por kam akoma dëshirën e një fëmije për t’u përmirësuar. Shpresoj të jap kontributin tim dhe të ndihmoj ekipin e trajnerin me eksperiencën time.”

OBJEKTIVI – “Ne besojmë shumë te fitimi i titullit dhe humbja ndaj Cagliarit duhet të na shërbejë si leksion. Juventusi dhe Interi po tregojnë forcën e tyre dhe duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet tona. Qyteti? Dashuri me shikim të parë. Ndjeva menjëherë ngrohtësinë e njerëzve. Shpresoj të vazhdoj në këtë mënyrë dhe të bëj atë që më pëlqen më shumë: shënimin e golave për Napolin.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!