Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar shpalljen e vendit vakant për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Rihapja e vakancës vjen pas dorëheqjes së anëtarit Besnik Imeraj dhe në kushtet kur deri më tani, janë pranuar vetëm kandidaturat e 2 gjyqtarëve për këtë post, në një kohë që numri minimal i tyre duhet të jetë 3.
Vazhdon të qëndrojë e boshatisur Gjykata Kushtetuese. Arsyeja kryesore është se nuk po arrihet numri i kërkuar i kandidatëve që do të garojnë për tu ulur në karriget e institucionit më të lartë të sistemit gjyqësor.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) në përfundim të procedurave të verifikimit të kandidaturave të paraqitura për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese “Vakancë e parakohshme”, e krijuar nga përfundimi përpara kohe i mandatit, të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, ka evidentuar se nga 15 kandidatë që kanë shprehur interesin për konkurrim, kanë ngelur në garë vetëm dy kandidatë të lejuar për kandidim dhe, konkretisht, Besnik Muçi dhe Regleta Panajoti.
“Bazuar në këto kushte, ku në garë për kandidim për plotësimin e kësaj vakance kanë ngelur vetëm 2 kandidatë, pra më pak se numri i domosdoshëm që është 3 kandidatë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave dhe njoftimin e Presidentit të Republikës si organ emërtese për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e këtij vendi vakant”.
Në njoftimin e Presidentit për rishpalljen e procedurave të aplikimit për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në gjykatën kushtetuese “vakancë e parakohshme” i kërkohet kandidatëve që t’i dorëzojnë dokumentet deri në datën 18 Tetor të këtij viti.
Ndër kriteret që duhet të plotësojë kandidati është edhe që të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore si dhe të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij dhe familjarëve./ABC News Albania 24/7