Në Babunjë të Divjakës arkeologët gjermanë kanë arritur të zbulojnë rrënoja të një qyteti antik, Arnise. Një shtëpi dhe një rrugë tregojnë për ekzistencën e një vendbanimi të hershëm që daton në shekullin e 6 para Krishtit.
Një banesë private dhe muret rrethuese të qytetit të lashtë të Arnisës u zbuluan nga arkeologët në fshatin Babunjë të Divjakës.
Gërmimet e ekipit gjerman të nisura prej disa vitesh gjetën rrënojat antike mbi një kodër. Ato i përkasin shek të 6 para Krishtit. Besohet se qyteti është i shtrirë në një sipërfaqe prej 5-6 ha
Pas nxjerrjes në dritë të rrënojave të një banese dhe rrugës pranë saj, 200 metër më tej, u zbuluan edhe muret fortifikuese.
Qyteti ka patur një rrugë kryesore, në të dy anët e së cilës degëzoheshin edhe 13 të tjera.
Arkeologu Klodian Velo, shpjegon se pranë qytetit ka qenë porti detar i Adriatikut, madje fare pranë kalonte edhe lumi Seman.
Peizazhi i mrekullueshëm, terreni i favorshëm bujqësor e blegtoral si edhe shfrytëzimi i lumit për të lundruar drejt qytetit të Apolonisë, ishin avantazhet e popullsisë së Arnisës.
Për herë të parë në këtë zonë gërmimet u bënë në vitin 1950, më pas në 1988, e megjithatë të dhënat për Babunjën kanë qenë të pakta.
Me zbulimet e fundit arkeologët shpresojnë të shtojnë hartën e emrave të qyteteve të rinj në brigjet e Adriatikut, duke përfshirë edhe gjurmët e qyteteve të gjetura në Bishtqukës dhe në kepin e Rodonit./ABC News Albania 24/7