Pasi triumfuan në përballjen e parë kualifikuese ndaj Buducnost me rezultatin minimal 1 me 0, Struga e teknikut Shpëtim Duro ka arritur të fitojë dhe në ndeshjen e kthimit ndaj malazezëve, kësaj radhe me rezultatin spektakolar 3 me 4, në përballjen e vlefshme për fazën e dytë kualifikuese të Conference League.
Sipari i golave u hap që në minutën e 7’ të sfidës, me skuadrën e Buducnost që gjetën rrugën e rrjetës falë qendërmbrojtësit, Miomar Djurickovic, por vetëm 4 minuta më vonë, Radeski barazon shifrat dhe do të ishte po Radeski, i cili gjen avantazhin në minutën e 45+3’ të sfidës, duke përmbysur gjithçka. Mirëpo, pjesa e parë nuk mbaron me kaq, pasi në “frymën e fundit” të kohës shtesë, 17-vjeçari, Vasilije Adzic barazon shifrat duke e mbyllur fraksionin e parë të lojës me rezultatin 2 me 2.
Me fillimin e pjesës së dytë, fillimisht Ibraimi e më pas Radeski në minutat 66’ e 74’ e çojnë rezultatin në 2 me 4, duke vulosur kualifikimin e maqedonasve. Ndërkaq, vendasit arritën të gjenin dhe një gol tjetër falë Sekulovic, në minutën e 82’-të të sfidës, duke e çuar kështu rezultatin në 3 me 4.
Pas kësaj fitoreje, Struga tashmë ka kaluar zyrtarisht në raundin e 3-të kualifikues të Conference League, ku kësaj radhe do të përballet me luksemburgasit e Hesperange, fillimisht më 10 gusht e më pas me 17 gusht. /i.m /abcnews.al